Dymbëdhjetë shtëpi banimi kanë nisur të ndërtohen në një lagje të re të quajtur “Dielli” në fshatin Bardhosh të Prishtinës. Në një lokacion të lakmueshëm për blerësit potencialë, ku autostrada ndodhet krejt pranë objekteve, këto shtëpi duket të jenë vendi ideal për plot familje. Sikur të kishin leje ndërtimi. Investitori njihet nga e kaluara se ka ndërtuar edhe objekte tjera pa leje në Prishtinë
Ndonëse ndërtimi i shtëpive në Bardhosh ka nisur, Komuna e Prishtinës nuk ka lëshuar leje për ndërtimin e këtyre objekteve shumë afër kyçjes me autostradën “Ibrahim Rugova”.
E, kjo s’e ka ndalur pronarin e lagjes “Dielli’ që të vazhdojë ndërtimin e tyre, pavarësisht se është urdhëruar që të ndërpres punimet dhe të rrënojë të dymbëdhjetë shtëpitë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Më 22 mars të këtij viti, Inspektori i Ndërtimit i Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Prishtinës pas kontrollit që kishte bërë më 16 mars, ka nxjerrë aktvendim përmes të cilit pronari dhe investitori i kompleksit, Ymer Veliu, urdhërohet që t’i rrënojë shtëpitë që janë në ndërtim e sipër në Bardhosh të Prishtinës.
Sipas aktvendimit të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, përmes qasjes në dokumentet publike, afati për rrënimin e 12 ndërtesave individuale ka qenë tri ditë nga dita e pranimit të vendimit. Gjë që nuk ka ndodhur as pas më shumë se dy muajve.
“Në rast se nuk zbatohet urdhri nga pika I dhe II e këtij aktvendimi organi kompetent do ta bëjë rrënimin e objekteve që përbën shkelje ose gjendje të pasigurt dhe kostoja e rrënimit do të mbulohet nga pronari, kontraktori ose pala tjetër përgjegjëse për ndërtimin që nuk ka qenë në përputhje me dokumentacionin teknik, ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi”, thuhet në pikën e tretë të aktvendimit.
Po ashtu, Komuna e Prishtinës në vendimin e saj thekson se nëse pronari vazhdon punimet, duke mos zbatuar urdhrin nga Inspekcioni, atëherë organi kompetent duhet ta bëjë menjëherë rrënimin e objekteve pavarësisht afatit të dhënë në pikën II të këtij aktvendimi.
Pronarit të kompleksit, Ymer Veliu, i është shqiptuar edhe gjobë mandatorë për kundërvajtje, pasi i njëjti nuk ka respektuar urdhrin e Inspekcionit, duke larguar shiritat rrethues dhe duke vazhduar punët ndërtimore.
Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar edhe me Ymer Veliun, pronarin dhe investitorin e lagjes “Dielli”, por i njëjti nuk ka pranuar që të prononcohet, fillimisht duke deklaruar se nuk e di për çka është fjala.
“S’kena çka me folë na, absolutikisht. Edhe jom në Mal të Zi, nuk jom ktu hiç. Po çkado që ki, për dy ditë kthehna…”, tha Veliu të hënën, për gazetën online Reporteri.net, përmes telefoni.
@reporterimedia Biznesmeni i njohur për ndërtime pa leje në Prishtinë vazhdon avazin e vjetër, nis ndërtimin e një lagjeje të re me 12 shtëpi pa leje #prishtina #prishtinacity #kryeqyteti #kosova #kosovatiktok #bardhosh #prishtine #prishtinamall #reporteri #perty #shqip #lajme #fyp #lajmeshqip #kosova🇽🇰 ♬ original sound – Reporteri.net
Në pyetjen se përse s’ka zbatuar urdhrin e Drejtorisë së Inspekcionit, Veliu me nervozë u përgjigj se nuk punon në Inspekcion dhe nuk merret me atë punë, për ta ndalur më pas bisedën në gjysmë.
“Nuk rrënoj objekte se nuk punoj në Inspekcion. M’vjen keq! Kalo mirë, kalo mirë, hajde tung. Inspekscioni, ç’inspekcioni, s’merrna me atë punë unë”, tha ai.
Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se më 17 maj Inspekcioni ka vendosur sërish shiritat rrethues dhe ka njoftuar palën lidhur me veprimet ligjore për ndërprerjen e punimeve. Por shiriti i vendosur, u hoq sërish nga pronari i kompleksit ‘Dielli’.
“Inspektorët kompetent të zonës, rastin në fjalë e kanë identifikuar dhe kanë ndërmarrë masat e duhura ligjore me ç‘rast, përveç veprimeve tjera, ka nxjerrë edhe aktvendim për rrënim 09Nr.354/02 – 39165/24 dhe duke u bazuar në afatet ligjore si dhe planin e punës përkatësisht planin e veprimit Inspektorati i ndërtimit do të bëj ekzekutimin e aktvendimit për rrënim. Lidhur me veprimet e ndërmarra nga pala, inspektorati i ndërtimit ka shqiptuar gjoba mandatore si dhe ka vendosur shiritat rrethues duke njoftuar palën lidhur me veprimet ligjore nëpërmjet procesverbaleve dhe aktvendimeve për ndërprerjen e punëve ndërtimore”, thuhet në përgjigjen e Komunës për Reporteri.net.
Ekipi i Gazetës Online Reporteri.net ka qëndruar të hënën në vend-punishte, ku ka vërejtur se ndonëse Komuna qysh para më shumë se dy muajve ka urdhëruar që objektet të rrënohen, atje vazhdon puna ndërtimore krejt si zakonisht.
Shtëpitë atje ishin pothuajse të përfunduara nga jashtë, pasi në disa prej tyre ishin vendosur edhe dyert e dritaret, teksa po vazhdonin punimet në disa tjera.
Po ashtu në të gjithë hapësirën përreth mund të shihje se ka lloje të ndryshme të materialeve ndërtimore, që nënkupton se punimet atje kanë vazhduar nonstop.
Ndërtimet pa leje, nuk janë diçka e pazakontë për biznesmenin, Ymer Veliu. I njëjti është i njohur që edhe më parë ka përfituar kundërligjshëm miliona euro përmes shitjes së banesave të ndërtuara pa leje, në Prishtinë.
Ymer Veliu, përmendet në rastin e njohur të inspektorëve të Isa Mustafës në Prishtinë, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria pretendonte se Veliut, inspektorët e akuzuar, i kishin mundësuar që në rrugën “Ardian Krasniqi” ta ndërtojë pa leje një objekt afaristo-banesor, në mënyrë që nga shtija e banesave ka përfituar mbi 1 milion e 700 mijë euro.
Madje vetë Veliu, i ftuar gjatë gjyqit si dëshmitar, kishte pohuar se kompania ndërtimore “Naki Trade” ku ai dhe vëllai i tij Milazim Veliu janë pronarë kishte ndërtuar objekte banesore në kryeqytet pa pasur leje.
“Gjatë punës tonë, kanë ardhë disa herë inspektorët me na ndalë punimet por ne prapë kemi vazhdu. Nuk ka qenë faji jonë sepse ata vet na e kanë vonu lejen e ndërtimit shkaku i neglizhencës së tyre. Ne është dashur që të vazhdojmë me ndërtime sepse ashtu ka qenë marrëveshja me banorët”, deklaronte Veliu në Gjykatën e Prishtinës, me 23 shtator 2016.
Në një rast tjetër, Prokuroria e Shtetit në vitin 2019 e kishte implikuar kompaninë “Naki Trade” dhe pronarin e saj Milazim Veliun për ndërtime pa leje edhe në komunën e Fushë Kosovës, po ashtu në koordinim me inspektorë komunal që dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës. /Reporteri.net/.