×
  • Lajme
  • Lajme

    I akuzuari për terrorizëm i këndonte gruas: ‘Niset trimi për xhenet’

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 14:43

    Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë dëgjuar audio-incizimet e të akuzuarve për terrorizëm, me përmbajtje nga monitorimi i masave të fshehta të bisedave në vende publike dhe private.


    Këto CD, janë dëgjuar në gjykimin ku për vepra penale të terrorizmit, po akuzohen Bujar Behrami, Resim Kastrati, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në këtë seancë është dëgjuar audio-incizimi, i cili paraqet komunikimin mes të akuzuarit Shabani dhe të akuzuarës Haliti, të cilët janë bashkëshortë.

    Në njërën pjesë të këtyre incizimeve, i akuzuari Shabani, i ishte drejtuar të akuzuarës Haliti “vepra ma e mirë që munesh me ba është me vesh një rrip me eksploziv, e me ja nshu KFOR-it, tani veç e dhez, s’ka vepër ma të mirë”.

    Sipas prokurorit special Afrim Shefkiu, në këto incizimet dëgjohet qartë se i akuzuari Shabani kishte shtyrë bashkëshorten e tij, të akuzuarën Haliti për përgatitjen e akteve terroriste duke udhëzuar të bëjë sulm vetëvrasës me eksploziv ndaj pjesëtarëve të KFOR-it

    Në lidhje më këto audio-incizime, pati vërejtje mbrojtësi i të akuzuarit Shabani, avokati Visar Vehapi, që sipas tij, në shprehjet e të mbrojturit të tij nuk ishte vërejtur asgjë inkriminuese, dhe se përmbajtja e audio incizimit dhe përmbajtja e asaj që ishte hartuar në transkript, sipas tij, kishte mospërputhje.

    Edhe mbrojtësi i të akuzuarës Haliti, avokati Aziz Rexha ka thënë se komunikimet mes tyre nuk ishin prova, dhe se në këtë pjesë të këtij incizimi nuk kishte asgjë që e inkriminonte të mbrojturën e tij.

    Pastaj, në një incizim tjetër është dëgjuar kur i akuzuari Shabani i ishte drejtuar me fjalët “unë s’po du me vnu këtë punë, ti a je e gatshme shembull met thanë masneser, a vjen tinxa me mu ti me kalu kufinin e Kosovës natën nëpër mal, me dal me shku derisa me arrit aty, në Belgjikë, a dikun ose në Francë”.

    Pastaj, janë dëgjuar edhe fjalët e Shabanit drejtuar të akuzuarës Haliti “këta njerëz që bajnë ksi vepra janë njerëzit ma t’mirë n’këtë tokë, nuk ka ma t’mirë, pyete vetveten a e meritojmë na, a e din sa shumë duhet me lut Allahun me na zgjedh neve, ajo vepër shpërblyese nuk ka vepër ma t’mirë në këtë dynja”.

    Edhe për këtë audio incizim, vërejtje ka paraqitur avokati Vehapi, pasi sipas tij, një rrëfim i tillë ishte “përrallë”, e të akuzuarit Shabani dhe asgjë më shumë.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Haliti, avokati Aziz Rexha i ka lexuar përgjigjet që e akuzuara Haliti ia ka dhënë të akuzuarit Shabani, që të mos harrojë t’i shkruajë, që sipas avokatit, ishin kërkesa familjare, njerëzore dhe pa asnjë veprim aktiv në drejtim të veprës penale.

    Në një audio incizim tjetër është dëgjuar kur i akuzuari Shabani i ka thënë të akuzuarës Haliti “Allahu na bashkon…mos t’dhimet jeta se ja vlen për Allahun me sakrifiku, çdo njeri ka mu kthy te Allahu, të Allahut jemi dhe te Allahu do të kthehemi”.

    Pastaj, në provën tjetër është dëgjuar i akuzuari Shabani duke i kënduar bashkëshortes së tij “Niset trimi për xhenet përqafon grun e vet…përqafon moj grun e vet”.

    “Allahu na mundësoftë me vdek, Allahu na dhantë pasardhës të hajrit, muxhahida, nuk është e lehtë as për mu kjo, xhihadi i ka sakrificat e veta dhe çdo sakrificë ka bereqet me lejen e Allahut. Allahu na mundësoftë hajrin, duhet me iu nënshtru dhe me iu bind Allahut, kjo dynja osht e kotë është e përkohshme…”, dëgjohet të ketë thënë nder të tjera i akuzuari Shabani.

    Mirëpo, në lidhje më këtë incizim, ka reaguar i akuzuari Resim Kastrati, pasi sipas tij me këtë incizim ishte cenuar nderi i fesë dhe i privatësisë.

    Ndërsa, mbrojtësi i Shabanit, avokati Vehapi ka thënë se kjo bisedë nuk kishte përmbajtje inkriminuese, por përmbajtje intime, dhe se prokurori pretendon se i mbrojturi i tij ishte nisur për Belgjikë, që sipas avokatit, ai kishte lindur dhe ishte rritur në këtë vend, dhe ishte e pamundur të mos shfaqte nostalgji për Belgjikën.

    Ndryshe, në këtë seancë janë dëgjuar edhe audio incizimet e të akuzuarit Resim Kastrati, i cili është dëgjuar duke kënduar “jam mërzit du me dalë me shku në sham, xhihad me bo me luftu për Allah”.

    Pastaj, i njëjti duke diskutuar me një person me emrin Samir, dëgjohet duke thënë “Amerika e kupton realitetin e shteti islam në Siri…Amerika i ka thënë Turqisë që ta lë luftën ndaj kurdëve dhe të fokusohet në luftën kundër shtetit islam…askush nuk duhet të konsultohet për vrasjen e amerikaneve e as hoxhallarët…mos pyet hoxhallarë a bon a s’bon”.

    Në bisedën e zhvilluar mes të akuzuarit Kastrati dhe bashkëbiseduesit të tij Samir, janë dëgjuar edhe fjalët “qashtu janë punët ishalla ka puna hajr e bereqet, niher në Kosovë kam punë e në shkoft mirë në Kosovë hamdulilah nëse shkon keq najsen…Allahu na mundësoftë qata që po dojm me ba Allahu na mundësoftë”.

    Tutje, në këtë audio incizim, dëgjohet i akuzuari Kastrati duke thënë “burgut nuk i bindna me lejen e Allahut qaj është qëllimi jonë me ra në burg me kry punë ose me ra shehit…Me lejen e Allahut ki me pa së shpejti, ki me pa se unë për veti jam tu la me vllazi, mos mi lan kërkujt diçka t’keqe për mua, e gabimet krejt kemi ba vlla, po veç diçka që munesh me fal diçka që mundesh pa me thanë smuj me ja marrë Allahut…”.

    Vërejtje në këto audio incizime pati mbrojtësi i të akuzuarit Kastrati, avokati Hamdi Jashanica.

    Sipas tij, në këtë bisedë vërehet që i mbrojturi i tij shfaq pakënaqësitë dhe pikëpamjet e tij në lidhje me situatën e përgjithshme, dhe se kjo provë nuk vërteton involvimin e tij në fushën kriminale.

    Ndërsa, i akuzuari Kastrati në lidhje më këtë audio incizim ka thënë se ishin komentim i dy të rinjve rreth situatës dhe gjendjes së caktuar për disa lajme që kishin ndodhur.

    “Asnjëra nga këto sipas mendimit tim nuk është inkriminuese, nëse komentimi i lajmeve është inkriminues atëherë gjithë gazetarët do futeshin nëpër burgje”, ka thënë ai.

    Në një tjetër audio incizim, i akuzuari Kastrati është dëgjuar duke thënë “unë bana çka bana përcillna, ti veç që rrin me mu ki mu përcill, unë te shpija full video të xhihadit e kam kompjuterin, e kam kompjuterin me full trajnime për xhihad qysh mi montue. Qysh mi çmonutu armët, e s’po përcillna unë?”.

    Edhe në lidhje më këtë provë, avokati Jashanica ka thënë se nuk paraqet inkriminim, ngase në atë bisedë ishin dëgjuar komentet që i mbrojturi i tij i bën për idetë e tij për çështjen e islamizimit, dhe se ligjëratat që i akuzuari Kastrati, i kishte në kompjuter, avokati tha se nuk ishin prova të besueshme që inkriminojnë të mbrojturin e tij në çështje kriminale.

    Ndryshe, në këtë seancë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mustaf Tahiri njoftoi se me 16 prill 2019, kishte pranuar një raport aga autoritetet gjermane që vet gjykata i kishte kërkuar përmes Ministrisë së Drejtësisë – Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në lidhje më të akuzuarin Behrami.

    Ai tha se pasi këto prova ishin në gjuhën gjermane, ai kishte kërkuar nga Ministria e Drejtësisë t’i përkthejë.

    Po ashtu, trupi gjykues pas konsultimit, ka refuzuar kërkesat e avokatëve Hamdi Podvorica, Zahir Hamza dhe Hamdi Jashanica, që të mbrojturve të tyre Leotrim Musliut, Albert Ademajt dhe Resim Kastratit t’u ndërpritet masa e paraburgimit.

    Seancat e radhës priten të mbahen me 16 dhe 17 maj 2019, në ora 09:30.   

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 tetor 2018, të akuzuarit Bujar Behrami e Resim Kastrati, gjatë periudhës kohore nga muaji dhjetor 2017 e deri me datën 29 qershor 2018, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

    Sipas prokurorisë, i akuzuari Bujar Behrami ka tentuar ta krijojë grupin me emër “Ndihmëtarët e shtetit Islam në tokën e shqiponjave”, për të vepruar në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Veçmas janë përgatitë për sulme terroriste në diskotekat “Insomnia” dhe “Kamboxha” në Graçanicë, si dhe ndaj kishës ortodokse afër kafenesë “Moskva”, në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe vende të tjera të frekuentuara me qytetarë.

    Në aktakuzë thuhet se Resim Kastrati është angazhuar në drejtim të furnizimit me armë të zjarrta dhe materiale plasëse, si dhe gjetjen e personave për vendosjen e jelekëve me eksploziv.

    Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK – së.

    I akuzuari Bujar Behrami, sipas pretendimit të prokurorisë, gjatë muajit prill – maj të vitit 2018, me qëllim të kryerjes së akteve terroriste në Kosovë, e gjatë komunikimit me personin e quajtur Mursel Murseli, i njëjti nga Gjermania ka dërguar mjete financiare për të dyshuarin Resim Kastrati, me qëllim të blerjes së materialeve eksplozive dhe armëve të zjarrta.

    Në aktakuzë thuhet se me datë 20 prill 2018, 24 prill 2018 dhe 14 maj 2018, përmes institucioneve për transferimin e parave “Money Gram” dhe “Ëestern Union”, tërthorazi ka dërguar shumën e të hollave prej 2629.45 euro, 3117.01 euro dhe 3255.00 euro (gjithsej 9001.46 euro), në emër të personit të quajtur Petrit Gashi (dëshmitar anonim) i shpallur nga Gjykata, e që edhe të njëjtat transaksione me implementimin e masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit janë konfirmuar nga vet i dyshuari Behrami.

    Me këtë, sipas prokurorisë, Bujar Behrami, ka kryer veprën penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, nga neni 138, par. 1 i KPRK – së.

    Aktakuza e ngarkon edhe Gramos Shabanin me veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144, par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste”, nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.

    Kjo sepse, sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri më 02 qershor 2018, i akuzuari Gramos Shabani, me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë, meqë është edhe shtetas belg.

    Sipas prokurorisë, ai ka planifikuar sulm vetëvrasës me eksploziv në vende ë frekuentuara me qytetarë, e që me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, përkatësisht monitorimin e bisedave ne vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës – DKT, në Prishtinë, më 05 qershor 2018, i njëjti arrestohet.

    Po ashtu, Gramos Shabani, me 02 qershor 2018, me dashje direkte i ka bërë thirrje bashkëshortes së tij Edona Haliti nga Hajvalia, në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke e udhëzuar që të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet, ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë dhe në vendet e tjera të frekuentuara me qytetarë, e duke e planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materiale eksplozive, me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

    Për këto veprime, prokuroria e ngarkon me veprën penale “rekrutimi për terrorizëm”, nga neni 139 i KPRK – së.

    E akuzuara Edona Haliti, sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri më 02 qershor 2018, duke vepruar sipas udhëzimeve të të akuzuarit Gramos Shabani, është përfshirë bë veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë, si dhe në vende të tjera të frekuentuara me qytetarë, duke u furnizuar me armë të zjarrta dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

    Për shkak të këtyre veprimeve, aktakuza e ngarkon Edona Halitin me veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.

    Dy të akuzuari e tjerë Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, prokuroria i akuzon se nga muaji dhjetor 2017, e deri më 29 qershor 2018, në Prishtinë dhe vende të tjera në Kosovë, edhe pse kanë qenë në njohuri dhe të informuar se Bujar Behrami dhe Resim Kastrati janë duke përgatitë akte terroriste në Kosovë, nuk i kanë lajmëruar në polici për veprimet inkriminuese të veprave penale nga kapitulli XIV – veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 1, lidhur me veprën penale nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.

    Me këtë, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, sipas aktakuzës, kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, nga neni 386, par. 1, nën paragrafi 1.4 i KPRK – së.

    Të akuzuarit Leotrim Musliu, i vihet barrë edhe vepra penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

    Kjo sepse, sipas aktakuzës, në kohë të pa vërtetuar, pa leje valide, e në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, i akuzuari Musliu, ka siguruar dhe mbajt në pronësi armë të zjarrtë – pushkë automatike, që me rastin e bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse nga ana e Policisë së Kosovë, e njëjta, bashkë me municion, i janë sekuestruar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!