Banorët e fshatit Mlike të Dragashit po ankohen se janë në hall me mbeturinat.
Ata kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se me këtë problematikë përballen tash e sa vite në fshatin e tyre dhe deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim.
Banorët e fshatit kanë kërkuar zgjidhje urgjente për këtë problematikë, teksa janë ankuar se asnjë veprim nuk është marrë nga institucionet lokale e as qendrore. Ata kanë thënë se përkundrazi, deponia ilegale po zgjerohet çdo ditë.
Ata kanë dërguar edhe pamje ku shihet grumbulli i mbeturinave përgjatë rrugës, të cilat kanë thënë se janë hedhur në vazhdimësi dhe një kohë të gjatë.
“Në fshatin tonë, hedhja e paligjshme e mbeturinave vazhdon çdo ditë. Deponia ilegale po zgjerohet vazhdimisht, ndërsa sasi të mëdha mbeturinash hidhen në një vend ku është vendosur qartë tabela që ndalon hedhjen e mbeturinave. Megjithatë, pavarësisht kësaj ndalese, mbeturinat vazhdojnë të hidhen pa pengesa, pa përgjegjësi dhe pa frikë nga ndëshkimi.
“Si qytetarë që duam një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm, i jemi drejtuar disa herë institucioneve lokale në Dragash. Fatkeqësisht, deri më sot nuk kemi marrë asnjë zgjidhje konkrete dhe nuk kemi parë masa efektive për ta ndalur këtë veprimtari të paligjshme.
Duke mos dashur të heqim dorë nga përpjekjet për mbrojtjen e fshatit tonë, i jemi drejtuar edhe institucioneve të nivelit qendror në Prishtinë. Megjithatë, gjendja në terren ka mbetur e pandryshuar. Çdo ditë shfaqen grumbuj të rinj mbeturinash dhe deponia ilegale bëhet gjithnjë e më e madhe, duke paraqitur një rrezik serioz për shëndetin e njerëzve, mjedisin, tokën bujqësore dhe natyrën”, kanë thënë banorët.
Këta banorë kanë kërkuar reagim urgjent nga Policia e Kosovës, inspektoratet, organet komunale dhe të gjitha institucionet përgjegjëse.
“Përmes mediave kërkojmë reagim urgjent nga Policia e Kosovës, inspektoratet, organet komunale dhe të gjitha institucionet përgjegjëse. Kërkojmë shtimin e kontrolleve, praninë e rregullt të institucioneve në këtë lokacion, identifikimin e personave përgjegjës dhe shqiptimin e dënimeve më të ashpra të parashikuara me ligj për të gjithë ata që hedhin mbeturina në mënyrë të paligjshme.
Po ashtu kërkojmë që kjo deponi ilegale të pastrohet urgjentisht, zona të rehabilitohet dhe të ndërmerren masa të përhershme që të parandalohet rikrijimi i saj. Është e domosdoshme të mbrohet shëndeti i qytetarëve dhe të ruhet natyra për brezat e ardhshëm.
I drejtojmë një pyetje publike të gjitha institucioneve përgjegjëse: A duhet të presim derisa të rrezikohet seriozisht shëndeti i qytetarëve dhe të ndotet toka, uji dhe ajri që institucionet të reagojnë? A është normale që ligji të mos zbatohet, edhe pse në vendngjarje është vendosur një tabelë e qartë që ndalon hedhjen e mbeturinave?”, janë shprehur banorët.

