Institucioni financiar që rrjep qytetarët me kredi, ofron ‘tepsia e sahana’ si bamirësi

Një institucion financiar jobankar i ka dhuruar pajisje të kuzhinës klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Këtë donacion e ka bërë ‘Monego’ që vetë quhet udhëheqëse në tregun financiar jo-bankar në Kosovë.


Por, para se të kryej bamirësi, ky institucion, sikurse edhe bizneset e tjera të tilla, njihen për ‘rrjepjen’ që u bëjnë xhepave të qytetarëve, me anë të kredive “të shpejta” që japin, shkruan Reporteri.net.

E për një gjë të tillë, “Monego”, bashkë më “IuteCredit”, para më shumë se një muaji, siç kanë raportuar mediat, janë dënuar për manipulim me normat e interesit në kredi.

Sipas, BQK-së normat e interesit që lëshojnë Institucionet e tilla Mikrofinanciare janë tejet të larta, dhe shkojnë gati deri në 30 përqind.

Madje, jo shumë kohë më parë, një televizion ka raportuar se BQK-ja ka kërcënuar edhe me mbyllje të gjithë aktivitetit të Monegos – pasi e njëjta ka qenë duke shkelur ligjet dhe rregullat për shkak të rritjes së shpejtë të dhënies së kredive.

Por, kjo se ka ndalë këtë institucion që përkundër mënyrës të të bërit biznes, dhe me paratë e fituara të bëjë donacione të tilla si ky në QKUK, në emër të bamirësisë.

Ky është njoftimi i plotë për donacionin:

Pediatria në Qendrën Klinikën Universitare të Kosovës sot është pasuruar me paisje të kuzhinës të cilat ishin më se të nevojshme për të ofruar shërbimet dhe trajtimet cilësore për fëmijët të cilët janë të shtrirë. E ky donacion u bë falë Monegos kompanisë së re udhëheqëse në tregun financiar jo-bankar në Kosovë. Pajisjet e nevojshme për këtë repart janë dhuruar nga Monego me rekomandim të organizatës Care for Kosovo Kids.

Nevoja për një kuzhinë të mirëfilltë në Pediatri vjen nga kërkesa dhe specifika të shumta që kanë fëmijët e shtrirë në këtë repart të qendrës klinike universitare në vendin tonë. Monego nëpërmes Care for Kosovo Kids kanë pranuar listën nga reparti i pediatrisë në QKUK dhe kanë siguruar një numër të madh të pasijeve që t’i plotësojne nevojat e fëmijëve në këtë repart. Të pranishmit nga Spitali i Pediatrisë kanë treguar se ushqimi që vjen nga Qendra nuk është gjithmonë i përshtatshëm për vogëlushët që nuk mund të përtypen.

Përfaqësuesi nga Monego, Kujtim Zebica, deklaroi: “Është hera e parë qe po dhurojmë donacion meqë jemi institucion financiar i ri dhe me rekomandim të Care for Kosovo Kids kemi vizituar departamentin e pediatrisë dhe kemi pa punën e kuzhinës, nevojat e tyre dhe besoj që kjo do t’ua bëjë punën më të lehtë. Nga Monego kjo është një dhuratë simbolike, por besoj me rëndësi. Monego do të vazhdojë edhe në të ardhmen t’i ndihmojë spitalit për çkado që ka nevojë”.

Ndërsa Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, znj. Drita Telaku Qosaj ju falënderua kompanisë duke thënë: “Pajisjet që kanë ardhur në klinikën tonë për ne kanë shumë rëndësi për mirëqenien e pacientëve tanë të vegjël. Këtu kuzhineret tona janë shumë të vyeshme dhe bëjnë një punë shumë të madhe, por ne në spital i kemi të shtrirë diku rreth 100 fëmijë, prej tyre një numër i madh i tyre prej moshave të ndryshme të cilët kanë dieta speciale, dhe përmes pajisjeve të reja për ne do të jetë më e lehtë t’i trajtojmë të gjithë”.

Monego është institucion financiar jo-bankar i licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që ofron kredi të shpejta konsumuese. Kompania ka sjellë në Kosovë shërbime të reja dhe shume inovative, krejt kjo falë teknologjisë informative të avancuar që përdorin, duke u mundësuar klientëve financim super të shpejtë dhe vetëm me letërnjoftim, proces të plotë online të marrjes së kredisë dhe qasje të lehtë në shërbime, përmes cilësdo pajisje të lidhur me internet (telefon, tablet, kompjuter apo laptop).