Të montuar po mundohet ta “klasifikojë” pushteti audio-incizimin e publikuar nga Nacionale, në disa pjesë, të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari Lila me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, ku përmenden edhe pesë biseda me kriminelin serb, i shpallur non-grata nga SHBA e Britania e Madhe, Milan Radojiçiq.
Mëngjesin e së mërkurës, ishte fillimisht Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ajo e cila e mori nën mbrojtje shefen e deputetëve të VV-së lidhur me audio-incizimin e publikuar.
“Zonja Kusari-Lila e ka sqaruar edhe mbrëmë në tërësi tendencën për të shpërfaqur të deformuar një komunikim që ishte i prerë, i montuar dhe i redaktuar sipas tendencave të tyre. Ju duhet ta kuptoni që Lista Serbe është një parti politike që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, por fatkeqësisht jo në mënyrën më të keqe”, tha Ministrja Haxhiu para gazetarëve, ndërsa shtoi se Lista Serbe nuk ka mundur t’i bëjë presion e ta shantazhojë Kusari-Lilën, dhe se efekti i këtyre audio-incizimeve është zero.
“Ato që janë publikuar kanë një arsye – efekti i tyre ka qenë zero. Lista Serbe nuk ka mundur ta shantazhojë e as t’i bëjë presion Mimoza Kusari-Lilës sepse po të shkonin përpara kërkesat e tyre, ato s’do të publikoheshin”, deklaroi Haxhiu.
Në mbrojtje të shefes së GP të VV-së, doli sot edhe i pari i Qeverisë, Albin Kurti i cili audio-incizimin e arsyetoi me atë se Mimoza Kusari-Lilës, Slavqko Simiqi ia kishte lëshuar me interfon Milan Radojiçiqin.
Kryeministri Kurti pretendon se incizimi i këtyre audio-ve është i gjymtuar, teksa u shpreh se organet e drejtësisë duhet të merren me këtë rast, dhe se sipas tij më shumë ka “internime partizane”.
“Së pari aty shefja e grupit tonë parlamentar dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka internime paraprake partizane në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë vetë për atë që po dëgjojnë, qartazi është një incizim i gjymtuar i redaktuar dhe rrjedhimisht do të duhej që që organet e drejtësisë të merren me të”, tha Kurti.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, mbrëmë në ATV ka thënë se audio-incizimi i publikuar dje (e martë), është prerë dhe cunguar dhe se mban interpretime e komente, ndërsa paralajmëroi edhe padi për gazetarin Berat Buzhala dhe ish-liderin e Listës Serbe.
“Sot biseda e lëshuar, të cilën e kam dëgjuar para se të vija në studio te ju, për dallim të asaj mbrëmë që e kam dëgju në studio, në kuptimin e përmbajtjes kur kam lexu titujt, e kam kuptu që sot përveç që është e prerë, dmth është e cunguar, gjithashtu përmban edhe interpretime edhe komente të vazhdueshme të Berat Buzhalës, për të cilat ne tash definitivisht do të ballafaqohemi në gjyq. Si e parë e punës është incizimi i pa autorizuar prej Slavko Simiq, si e dytë e punës është mos marrja e asnjë konfirmimi nga unë lidhur me këto incizime nga Berat Buzhala, dhe si e tretë e punës është komentet, nxitja, fyerja dhe cenimi i integritetit e personalitetit tim”, deklaroi mbrëmë Kusari-Lila.
Deklarata mashtruese e Mimoza Kusari-Lilës për bisedën me Milan Radojiçiqin
Menjëherë pas publikimit të pjesës së parë të audo-incizimit, Mimoza Kusari-Lila mohoi se se ka pasur kontakt me dikë tjetër nga Lista Serbe, përveç me Igor Simiq dhe Slavko Simiqin.
Shefja e deputetëve të VV-së të hënën e 10 korrikut tha se nuk ka komunikuar asnjëherë me nënkryetarin e Listës serbe, Milan Radojiçiqin, i cili ka urdhërarrest nga Policia e Kosovës, dhe është në listën e zezë të ShBA-së.
“Unë nuk kam as numër, as komunikim me Milan Radoiçiqin. Unë i përmenda, kanë qenë dy përfaqësues këtu që ishin, përderisa gjatë gjithë kohës i kam refuzuar dhe i kam rezistuar komunikimit me të dhe komunikimi çfarë kanë pasur Lista serbe me Milan Radojiçiqin është çështje e tyre, e kanë nënkryetar, ai dihet se si është dhe në Qeverinë Kurti është kthyer aktakuza dhe është kthyer urdhërarresti, prandaj edhe në momentin që do të zihet ai do të arrestohet. Prandaj nuk ka ndonjë hapësirë për ndonjë komunikim tjetër në raport me këtë person”, tha fillimisht Kusari.
Por, pikërisht të hënën, në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Mimoza Kusari-Lila praoni se ajo vetë ka qenë prezente në një moment kur Slavko Simiq në zyrën e saj flet me Milan Radojiçiqin, por ajo thotë se Simiq e kishte lëshuar telefonin e tij në “speaker phone”.
“Kam qenë prezente, ku Slavko Simiq bisedon me Radojiciq, ka qenë në zyrën time, dhe e lëshon telefonin në “speaker phone”, kaq ka qenë. Diskutimi ka qenë në gjuhën shqipe për çështjen e vendosjes së institucioneve të Kosovës në veri për domosdoshmërinë e shkuarjes në Valaq, dhe natyrisht që kam dëgjuar prej anës së tij se është i pakënaqura me çka po ndodhë”, tha Kusari-Lila, e cila gjatë ditës së 10 korrikut tha se as nuk ia kishte numrin e s’kishte pasur kurrfarë kontakti me Milan Radojiçiqin. /Reporteri.net/