×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-ministri malazez: Disa duan që pavarësia e Malit të Zi të paraqitet si ekskurzion kohëshkurtër, si projekt vetëm i Gjukanoviçit

    Reporteri
    19 Shtator 2022 | 14:36
    Ish-ministri malazez i mbrojtjes, Predrag Boshkoviç

    Praktikisht në secilin vend të rajonit Rusia vepron përmes proxy-ive të saj, tha ish-ministri malazez i mbrojtjes, Predrag Boskoviç, në një intervistë për Autonomija, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Qëllimi i tyre, shpjegoi Boskoviç, është “qorrazi” të ndjekin interesat ruse duke i paraqitur si të tyre, derisa komentoi edhe situatën e DF-së së Malit të Zi, të cilën Zëri e Amerikës e bëri të ditur të jetë financuar nga Federata Ruse.

    “Shumica e partnerëve nuk na besonin kur i paralajmëronim se çfarë qëndronte prapa gjithçkaje dhe se nga vinin shumica e këtyre fondeve në një vend kaq të vogël në Ballkan. Por e vërteta, sidoqoftë, del jashtë”.

    “Njerëzit po bëhet ditë e më të vetëdijshëm për atë se çfarë kemi thënë në fushatën e zgjedhjeve të 2020’ës, dhe ajo tani më po konfirmohet edhe formalisht”.

    “Mesazhet tona, them unë, nuk arritën te shumica e qytetarëve por edhe te disa prej aktorëve të komunitetit ndërkombëtar, andaj edhe jemi ku jemi”, tha Boshkoviç.

    Mali i Zi gjenden në një situatë tejet të vështirë e të errët politike, sipas ish-ministrit dhe tani deputetit të DPS-së.

    Pyetur se a është kjo gjë e planifikuar, ai thotë se “sigurisht se po”.

    “Qëllimi është që referendumi [për pavarësi] dhe vetë pavarësua e Malit të Zi, të paraqitet si një ekskurzion kohëshkurtët, e cila duhet të anulohet me urgjencë”.

    “Në fund, gjithçka që është bërë – dhe nisi me sulme kibernetike – që nga 2014 e deri më sot synon të përfundojë me tezën se Mali i Zi është një krijesë e paqëndrueshme dhe se këto gjashtëmbëdhjetë vite pavarësi janë vetëm një episod i pakënaqshëm dhe i përkohshëm”.

    “Në të njëjtën kohë, dëshirojnë të dëshmojnë se shteti malazez është esencialisht projekt i një njeriu, Presidentit Millo Gjukanoviç, i cili e bëri për interesa personale”, u shpreh mes tjerash ai.

    Pyetur se ku është më i vërejtshëm ndikimi rus, Boshkoviç u përgjigj se është Kisha Ortodokse Serbe.

    “Organizata pro-ruse më vitale dhe më e rëndësishmja në Mal të Zi është Kisha Ortodokse Serbe. Dhe jo vetëm në Mal të Zi, por në tërë rajonin”.

    Boshkoviç komentoi edhe “tolerancën perëndimore ndaj Aleksandër Vuçiç”, siç e quajti ai.

    “Politika e Perëndimit ndaj Presidentit të Serbisë është pragmatike dhe racionale nga aspekti i interesave të tyre. Siç e dini, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka dy pika karakteristike nevralgjike: pavarësinë e Kosovës dhe mosfunksionimin e BeH-së përmes aspiratave të theksuara secesioniste të entitetit Republika Srpska”.

    “Është plotësisht e qartë se çdo përpjekje për të ndryshuar statusin e tyre do të çonte në konflikte dhe luftë, të cilat nuk do të mbeteshin brenda kufijve të atyre vendeve, por sigurisht do të përhapeshin në pjesën tjetër të rajonit”.

    “Në këtë kontekst, Perëndimi e percepton Vuçiçin si dikë që mund ta mbajë situatën nën kontroll me fuqinë e autoritetit të tij politik. Mendoj se kjo është arsyeja pse partnerët tanë perëndimorë mbyllin sytë ndaj tendencave të dukshme autoritare të Presidentit të Republikës së Serbisë dhe bëjnë sikur nuk i shohin marrëdhëniet e tij të ngushta me Moskën”.

    “Megjithatë, ky qëndrim i Perëndimit është jetëshkurtër: herët a vonë presidentit Vuçiq do të duhet të zgjedhë një anë. Do të ishte shumë e rëndësishme për të ardhmen e rajonit nëse vendimi i tij do të lidhej me të ardhmen evropiane të vendit që ai drejton”, tha mes tjerash ish-ministri malazez i mbrojtjes./Reporteri.net/.

    Pulset pro-ruse në ngritje, Mali i Zi rrezikon zbehje të rrugës evropiane

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!