×
  • Lajme
  • Rajon

    Pulset pro-ruse në ngritje, Mali i Zi rrezikon zbehje të rrugës evropiane

    Reporteri
    12 Shtator 2022 | 17:00

    Autor: Xhezair Dashi


    Mali i Zi është futur në një mjegullnajë të re politike, horizonti evropian i së cilës është në zbehje e sipër, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Se kështu qëndron realisht çështja, u konstatua edhe nga reagimet e Bashkimit Evropian pas lajmërimeve se është arritur marrëveshje e mazhorancës së vjetër parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 20 gushtit të vitit 2020.

    Blloku pro-serb, fitimtar i atyre palë zgjedhjeve, arriti marrëveshje për rigrupimin e atyre formacioneve politike për të formuar qeveri të re, pas rrëzimit të Dritan Abazoviç.

    Në ballë të këtij formacioni politik qëndron Fronti Demokratik pro-serb pro-rus, parti kjo kategorikisht jo-partnere e Perëndimit.

    Në zgjedhjet e 20 gushtit, rreth 20 parti të orbitarve pro-ruse e serbe (disa edhe pro-perëndimore) gravituan rreth një qëllimi të vetëm. Atë të rrëzimit nga pushteti jetëgjatë presidentin malazez, Millo Gjukanoviç.

    Sidoqoftë, ky koalicion qe jetëshkurtër, dhe vetëm pas 18 muajsh, qeveria e profesorit universitar, Zdravko Krivokapiç, zv/kryeministër në të cilën ishte Dritan Abazoviç, kolapsoi.

    Ish-kryeministri Zdravko Krivkapiç, ish-zv/kryeministri Dritan Abazoviç

    U ndoq me një qeveri minoritare nga kryeministri në largim, Dritan Abazoviç.

    Pas nënshkrimit “incognito” të Marrëveshjes së ashtuquajtur Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe, këtij të fundit iu votua mocioni i mosbesimit.

    Fronti Demokratik, në kongllomeratin pro-serb, u rikthye në skenë. Andrija Mandiç nga blloku pro-serb, pretendon postin e kryeministrit.

    “’Çfarë ndodhi është se në një atmosferë të mirë ne gjetëm përsëri bazën e përbashkët që na bëri bashkë më 2020’ën, duke na kujtuar luftën kundër regjimit të Millo Gjukanoviçit, sot ne ishim në gjendje të pajtoheshim”, ka thënë Mandiç ditë më parë.

    “Ne kemi ndërmarrë disa obligime që nuk janë pjesë integrale e kësaj marrëveshjeje politike dhe në ditët në vijim do të nisim diskutimet për të definuar elementet tjera”, ka thënë ai.

    Pretendenti për kryeministër nga blloku pro-serb, Andrija Mandiç

    Çështja për t’u konkluduar mbetet mbledhja e 41 deputetëve, nga gjithsejt 81 sa ka parlamenti malazez, për të konstituuar shumicë parlamentare.

    “Në këtë marrëveshje përfshihen hapa shumë të qartë dhe precizë që do të çojnë në formimin e mazhorancës së vjetër-re. Shpresojmë se nuk do të ketë surpriza në këtë proces”, ka thënë Goran Danilloviç na Mali i Zi i Bashkuar në një konferencë për shtyp ditë më parë.

    Zv/kryeministri i pari i Malit të Zi, Rashko Konjeviç, të dielën në një prononcim ekskluziv për gazetën online Reporteri.net, u shpreh se po qe se një marrëveshje e tillë arrihet, Mali i Zi mund ta gjejë veten me një qeveri pro-ruse, në një shtet anëtar i plotë i NATO-s.

    “Në lidhje me mundësinë e formimit të një qeverie me mazhorancën e vjetër, do të them vetëm se në këtë rast do të kishim një qeveri pro-ruse dhe konstituentësh të saj, në një shtet që është anëtar i plotë i NATO-s”, tha Konjeviç për Reporteri.net.

    “Malit të Zi nuk i duhet një qeveri kukull ruse”, thotë zv/kryeministri Rashko Konjeviç, “por një qeveri qartësisht pro-evropiane”.

    Zv/kryeministri i parë i Malit të Zi, Rashko Konjeviç

    “[Një qeveri] e cila do të dëshmonte këtë përcaktueshmëri me vepra konkrete”, përfundon Rashko Konjeviç.

    Kryesuesi i delegacionit evropian për bashkëpunim me Malin e Zi, Vladimir Bilçik i ka thënë gazetës malazeze Pobjeda se një qeveri e përbërë nga DF-ja pro serbe “nuk e ka mbështetjen e BE-së”.

    “Kam dyshime serioze që DF-ja mund të jetë përgjigja e një Mali të Zi plotësisht pro-evropian. As që mund ta imagjinoj një skenar ku kjo do të ndodhte dhe ku ata do të ishin zgjidhje kredibile, e që do të kishin mbështetjen dhe besimin e BE-së”, ka thënë Vladimir Bilçik.

    Një qeveri e bazuar në rezultatet e 2020’ës, e gjithashtu bazuar në krejt atë çfarë ka ndodhur që atëherë, Bilçik tha se “jo vetëm që është e diskutueshme, por edhe është vështirë të paramendohet funksionimi i saj”.

    “Duke e ditur edhe që ajo qeveri ka rënë njëherë”.

    “BE duhet të jetë interesi strategjik numër nmjë i Malit të Zi”, ka potencuar ai.

    Njëjtë ishte shprehur edhe emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në një intervistë për Vijesti. DF-në, ishte shprehur ai, ShBA nuk e sheh për partner.

    Kjo, siç shpjegonte Escobar, për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj NATO-s, BE-së, por edhe ndaj pavarësisë së Kosovës.

    Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar në Podgoricë

    Raportuesi për Malin e Zi në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, gjithashtu ka thënë se parlamenti duhet të shpërbëhet dhe të shkohet në zgjedhje të reja. Një qeveri me këso blloqesh pro-serbe, nuk është zgjidhje për Malin e Zi evropian, ka argumentuar ai.

    Qeveria e 43-të e Malit të Zi, kjo që shkoi, Picula tha se ka rinuar konfliktet politike, ka intenfisikuar polarizimin politik si dhe ka tjetërsuar partnerët në Bruksel dhe Uashington.

    Më i rreptë ishte treguar para disa javësh. Fajin ai e kishte drejtuar edhe kah presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili, sipas tij, pas dështimeve në lidhje me dialogun me Kosovën, kishte drejtuar të gjithë infrastrukturën e shërbimbeve serbe e tij drejt Podgoricës.

    Analisti dhe ish-politikani serb, Balsha Bozhoviç gjithashtu e ka pa parë përfshirjen e Beogradit në tërë këtë kaos.

    “Nëse Vuçiç ia del të mbledh 41 deputetë, që personalisht e dyshoj, mendoj se Mali i Zi mund t’i thotë lamtumirë përgjithmonë integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai për portalin malazez të lajmeve “AntenaM”.

    Po qe se blloku i partive pro-serbe arrin të kthejë mazhorancën e “vjetër” parlamentare, përkatësisht atë të dal nga zgjedhjet e 20 gushtit 2020, Bozhoviç thotë se “Malit të Zi do t’i duhet të kërkojë lumturinë e vet nën zgjedhën e regjimit të Vuçiçit dhe të Ballkanit të Hapur”.

    Raportuesi për Malin e Zi në Parlamentin Evropian Tonino Picula, dhe Kryesuesi i delegacioni evropian për bashkëpunim me Malin e Zi, Vladimir Bilçik.

    “Detyra e Bilçik dhe Picula-s është që vazhdimist të paralajmërojnë Malin e Zi në hapat e tyre para BE-së, t’iu bëjnë apel që të mos devijojnë nga rruga, por të përqendrohen mbi prioritetet, që janë integrimet evropiane”.

    Bozhoviç rikujton se atë se faktori ndërkombëtar “e di shumë mirë” se cili ka qenë roli i DF-së në tentim grushtshtetin e 2016’ës.

    Sipas analistit sebr, DF-ja e ka fshirë veten nga çfarëdo veprimi ose komunikimi me partnerët perëndimor dhe miqtë e Malit të Zi.

    Në lidhje me ish-kryeministrin, Zdravko Krivokapiç, dhe kryeministrin e tanishëm në mandat teknik, Dritan Abazoviç, analisti serb thotë se ato u kujdesën më shumë për komunitetit fetar se atë qytetar, shkruan Reporteri.net.

    Zv/kryeministri malazez Rashko Konjeviç flet për Reporteri.net: Në Prishtinë erdha me kënaqësi, Abazoviç prioritizoi vizitat në Beograd

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!