×
  • Lajme
  • Lajme / Gjetjet tjera pas hulumtimit të Gazetës Reporteri

    Ka një konflikt interesi, anti-korrupsioni i jep ‘ultimatumin’ 7 ditësh anëtares së bordit të RTK-së

    Reporteri
    26 Shtator 2023 | 15:54

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se anëtarja e Bordit të RTK-së, Shukrije Rama, ka rënë ndesh me ligjin, duke mbajtur njëkohësisht dy funksione. Për këtë arsye ka kërkuar nga Rama që të ndërmarrë masa ose do të procedohet sipas ligjit. Ajo mund të procedohet tek organet kompetente edhe për deklarim të rrejshëm të pasurisë. Gazeta Online Reporteri.net i evidentoi dyshimet për shkeljet e Ramës në formularët e deklarimit të pasurisë së saj, në një hulumtim që u publikua me 16 shtator 2023, e që aktivizoi APK’së.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit i ka dhënë një afat prej shtatë ditësh anëtares së bordit të RTK-së, Shukrije Rama që të shmangë konfliktin e interesit.

    Burime të të gazetës online Reporteri.net, brenda Agjencisë Anti-korrupsion kanë thënë se APK’ja ka konstatuar se Rama ka rënë tri herë ndesh me Ligjin për Konfliktin e Interesit. Nuk e ka deklaruar biznesin e saj privat, nuk e ka deklaruar fare pozitën drejtuese në një OJQ si dhe ka konflikt të interesit për shkak se në një OJQ tjetër mbante pozitën e drejtoreshës dhe anëtares së bordit njëkohësisht.

    Po sipas këtyre burimeve, Agjencia ka përpiluar një shkresë, e ku i ka kërkuar Shukrije Ramës që brenda shtatë ditëve të merr masat e duhura, ose do të përballet me ligjin.

    Sipas gjetjeve të APK’së, ushtrimi i funksionit të anëtares së Bordit në RTK dhe njëkohësisht udhëheqëse në Organizatën Joqeveritare “Elektronic information for libraries in Kosova” është e ndaluar me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të interesit.

    Anëtarja e bordit të RTK-së Shukrije Rama deklaroi “rrejshëm” pasurinë, nisin hetimet

    Shukrije Rama në një përgjigje të mëhershme ka thënë për gazetën onine Reporteri.net se ka marrë masat e duhura dhe se ky është një “kapitull i mbyllur” për të. Por, sipas informacioneve të fundit që ka siguruar gazeta online Reporteri.net dhe shkresave të APK’së që i ka parë gazeta, kjo po rezulton të mos jetë e vërtetë. Kjo dëshmohet në shkresën e fundit që Agjencia Anti-Korrupsion e ka dërguar edhe në adresën e Ramës.

    Agjencia e ka informuar Shukrije Ramën lidhur me ushtrimin e funksionit publik si dhe e ka udhëzuar për hapat që duhet ndërmarrë për të shmangur situata të tilla. Rama del se është larguar nga funksioni drejtues në “Institutin për Zhvillimin e Politikave Sociale”, si dhe nga përfaqësuesja e autorizuar në biznesin privat “Shukrije Xh. Rama B.I”, por nuk është larguar edhe nga funksioni drejtues në një organizatë tjetër, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

    Rama kishte njoftuar agjencinë se po i bënë ndryshimet që i janë kërkuar, por për njërën organizatë jo-qeveritare ku ajo del se është pjesë e saj ende nuk ka dërguar dëshmi se është tërhequr nga pozita drejtuese. Nëse kjo gjë nuk bëhet brenda afatit ligjor, agjencisë anti-korrupsion do t’i ndërmarrë masa konform ligjit.

    Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, nenit 22, në rast se zyrtari vazhdon të kryejë aktivitete apo funksione të papajtueshme sipas këtij ligji, pavarësisht nga paralajmërimi i Agjencisë, atëherë Agjencia i kërkon institucionit punëdhënës që të fillojë procedurën për shkarkimin e zyrtarit.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, këto veprime i ka ndërmarrë pas publikimit të hulumtimit të gazetës online Reporteri.net që evidentoi se Shukrije Rama nuk kishte deklaruar fare një biznes, që e ka të regjistruar në ARBK dhe një OJQ në të cilën ajo kishte post drejtues. Ndërkohë, që ajo kishte edhe një rast tjetër duke u trajtuar për konflikt të interesit. /Reporteri.net/.

    Anti-korrupsioni nis kontrollin e plotë të pasurisë së anëtares së bordit të RTK’së

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!