×
  • Lajme
  • Lajme

    Katër fëmijët Ndrecaj konsiderohen të rrëmbyer, nisin procedurat për kthimin në Kosovë

    Reporteri
    16 Prill 2019 | 12:58

    Pjetër Nrecaj mori dënim me burgim të përjetshëm pasi vrau gruan e tij Valbona Tahirin-Nrecajn dhe vajzën e tij, Klarën 9-vjeçare. Por, 4 fëmijët e tjerë të Pjetrit dhe tashmë të ndjerës Valbonës, disa ditë pas ngjarjes tragjike lëshuan Kosovën. Daja i fëmijëve thotë se largimi nga vendi ka ardhur pasi ata nuk morën asnjë përkujdesje dhe siguri. E si u bë që fëmijët në moshë të mitur të ikin nga Kosova, asnjë nga institucionet e shtetit nuk e di. Kurse njëra nga ministritë që ka përgjegjësi për rastin thotë se fëmijët janë të rrëmbyer dhe tashmë kanë nisur procedurat për kthimin e tyre në Kosovë.


    Plumbat që i shkrepi Pjetër Nrecaj në mbrëmjen e 7 gushtit të vitit të kaluar ua morën jetën vajzës Klarës 9-vjeçare dhe gruas Valbona Tahiri-Nrecajt. Kështu katër fëmijët tjerë të çiftit Nrecaj mbetën pa prindër, meqë nëna e tyre u vra dhe babai është në vuajtje të dënimit me burg të përjetshëm.

    Vrasja e rëndë që ndodhi i la dy shtëpi të zbrazëta. Tani askush nga familja Marku nuk jeton në shtëpinë e tyre në Brekovc të Gjakovës, ku edhe u krye vrasja. E po ashtu e zbrazët ka mbetur edhe shtëpia e Pjetër Nrecajt në fshatin Bitesh të Gjakovës.

    Duket se pas ngjarjes tragjike jetesa për familjen e Valbonës e për fëmijët e saj nuk ishte e sigurt më në asnjërën nga shtëpitë, kështu ata zgjodhën largimin në këmbim të sigurisë.

    Shkëlzen Marku tregon pse u larguan fëmijët nga Kosova

    E largimin e fëmijëve nga Kosova e arsyeton Shkëlzen Marku, vëllai i viktimës Valbona Marku-Nrecaj. Sipas tij, janë shumë faktorë që kanë ndikuar në largimin e fëmijëve.

    Marku thotë se fillimisht ka qenë mosmbrojtja e motrës së tij sa ishte gjallë nga institucionet e shtetit, e po ashtu edhe mos ofrimi i mbrojtjes e përkujdesjes për fëmijët pas rastit, që i ka shtyrë ata të ikin nga Kosova.

    “Fëmijët nuk janë në Kosovë. Janë aty ku ndihen të sigurt. Nuk kemi pas asnjë përkujdesje nga komuna apo siguri që është ofruar. Të njëjtat kërcënime pas shpine kanë qenë edhe për fëmijë, sikur para rastit të vrasjes. Pra, meqë asnjë siguri, apo ndihmë s’është ofruar dhe duke pasur parasysh njerëzit që i kanë pasur pala tjetër në polici dehe gjykatë, jemi detyruar t’i largojmë nga vendi. Aty ku ndihen të sigurt”, është shprehur Marku.

    Por, i pyetur se në cilat rrugë kanë ndjekur për t’i larguar fëmijët nga vendi, Marku sqaron se gjyshja e tyre Lule Marku ka pasur kujdestari të përkohshme për ta, dhe me leje të fëmijëve janë larguar nga shteti i Kosovës.

    “Kujdestaria i është dhënë gjyshes së fëmijëve. Fëmija nuk janë vjedhur, janë pyetur dhe ka qenë vendimi i tyre për t’u larguar”, ka deklaruar ai.

    Shkëlzen Marku duke folur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus thotë se për të gjithë këto që deklaron ekzistojnë fakte të mbështetura në letra e dokumente.

    “Nuk është dhënë asnjë ndihmë për fëmijët në Kosovë. Ka pasur fjalë se fëmijët i marrin gjallë ose vdekur. Unë personalisht jam munduar të gjej ndihmë për fëmijët. Shteti nuk është marr me kurgjo. Ka letra, ka dokumente për çdo gjë. Ne nuk kemi marr asnjë ndihmë financiare as të paktën një psikolog nuk u është ofruar fëmijëve sikur ju ofrohet në krejt botën duke pasur parasysh se ka qenë vetëm një hap larg nënës dhe motrës së tyre që janë vrarë”, thotë Marku.

    Kujtojmë se pas ngjarjes tragjike katër fëmijëve Nrecaj në mënyrë të përkohshme u ishte caktuar si kujdestar ligjor gjyshja e tyre nga familja e nënës, pra Lule Marku.

    “Fillimisht është caktuar kujdestar i përkohshëm ligjor gjyshja e tyre Lule Marku mbas kërkesës me shkrim të saj dhe pëlqimin e 3 fëmijëve që janë mbi moshën 10 vjeçare, meqenëse ata janë fëmijë pa kujdes prindëror”, është thënë nga zyrtarët e komunës së Gjakovës.

    Versioni i zyrtarëve nga komuna e Gjakovës

    E si u bë që katër fëmijët në moshë të mitur të ikin nga Kosova, asnjë nga institucionet e shtetit nuk e di. Zyrtarë nga komuna e Gjakovës vetëm janë në dijeni se fëmijët nuk gjenden në Kosovë, por jo edhe si u larguan.

    Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjakovë, Adelina Shehu-Kola thotë se institucionet komunale kanë tentuar që t’u ofrojnë ndihëm në shumën prej 100 euro për fëmijë si dhe ndihma tjera, por ato nuk janë pranuar.

    Shehu-Kola në një përgjigje thotë se pasi kanë kuptuar për largimin e fëmijëve nga vendi kanë nisur procedurat gjyqësore për heqjen e kujdestarisë nga Lule Marku.

    Tutje, ajo bëri të ditur se kanë kërkuar nga katër ministri të Qeverisë së Kosovës që të merren veprimet ligjore për t’i riatdhesuar fëmijët, pasi që ata janë banorë e shtetas të Republikë së Kosovës.

    “Më pastaj është kërkuar nga MPMS-ja që të ndërmarrin veprimet e nevojshme procedurale me ministritë e linjës, që këta fëmijë të riatdhesohen në shtetin e tyre”.

    MPB nuk është në dijeni për fëmijët

    FaktePlus ka tentuar të marrë sqarime nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) lidhur me largimin e fëmijëve nga shteti i Kosovës. Kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje se si është bërë që fëmijët e mitur të kalojnë kufirin pa u vërejtur nga zyrtarët që punojnë në kufirin Kosovë-Shqipëri.

    Në bisedën telefonike me zyrtarët e MPB-së, ata thonë se nuk janë në dijeni me rastin dhe se për këto informata duhet të kontaktohet Prokuroria e Gjakovës.

    Nisin procedurat për riatdhesimin e fëmijëve

    Kurse nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se me të pranuar kërkesën nga Qendra për Punë Sociale e Gjakovës për riatdhesimin e katër fëmijëve të familjes Nrecaj edhe kane ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore për këtë çështje.

    “Gjatë kontakteve që MPMS ka pasur me Ministrinë e Drejtësisë, kemi marrë konfirmimin se kjo ministri, menjëherë ka zhvilluar procedurat dhe kompletuar dokumentacionin relevant, i cili i është drejtuar shtetit ku dyshohet se janë fëmijët, për kthimin e fëmijëve në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e MPMS-së.

    Ndërkaq largimin e fëmijëve përmes kufirit Kosovë-Shqipëri pa u vërejtur nga personat zyrtar që e kontrollojnë kufirin, Ministria e Drejtësisë (MD) e quan rrëmbim ndërkombëtar.

    Zyrtarë të MD-së kanë thënë se kjo ministri i ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për kthimin e fëmijëve Nrecaj në shtetin e Kosovës.

    “Kemi ndërmarrë masat sa i përket aplikacioneve për kthimin e fëmijëve sipas Ligjit mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve. Pra Ministria e Drejtësisë i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme pas kompletimit të aplikacioneve nga Qendra për Punë Sociale në Gjakovë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

    Kujtojmë se Pjetër Nrecaj mori dënim me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit pasi me datën 7 gusht të vitit 2018 në Brekovc të Gjakovës vrau gruan e tij Valbona Tahirin-Nrecajn dhe vajzën e tij, Klarën 9-vjeçare. Por, 4 fëmijët e tjerë të Pjetrit dhe tashmë të ndjerës Valbonës, disa ditë pas ngjarjes tragjike lëshuan Kosovën në rrethana të pasqaruara mirë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!