Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është kërcënuar disa herë përmes rrjeteve sociale nga një person. Kështu kanë bërë të ditur burime të Gazetën Online Reporteri.net brenda Komunës së Vitisë.
Këto burime bëjnë të ditur se kanosjet ndaj Halitit kanë ndodhur në disa raste dhe se i dyshuari ishte arrestuar më herët nga Policia, por më pas ishte liruar.
Megjithatë, i dyshuari nuk është ndalur as pas lirimit. Të shtunën, përmes publikimeve në rrjetin social TikTok, ai dyshohet se ka vazhduar me kërcënimet ndaj kryetarit Haliti.
Ndërkohë, Policia Rajonale e Gjilanit ka konfirmuar për Reporteri.net se në Viti është arrestuar një person i dyshuar për kanosje të përsëritura përmes rrjeteve sociale.
“KANOSJE – Viti, 07.11.2026-09:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti përmes rrjetit social në mënyrë të përsëritur ka kanosur viktimën mashkull kosovar”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se, me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Reporteri.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, por ai nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. /Reporteri.net/.