Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka njoftuar se aksioni për gjetjen e Xhafer Raqit ka rifilluar në orët e hershme të mëngjesit, pas kërkimeve intensive që u zhvilluan gjatë gjithë natës.
Sipas njoftimit, ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë operacionin edhe gjatë ditës, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente.
Për të rritur mundësitë e lokalizimit të personit të zhdukur, Shoqata ka bërë të ditur se është riangazhuar edhe Departamenti i Dronistëve.
“Shoqata jonë, në bashkëpunim me Policinë dhe autoritetet e tjera kompetente, ka riangazhuar Departamentin e Dronistëve, me qëllim që të rrisim mundësitë për lokalizimin dhe gjetjen sa më të shpejtë të z. Xhafer Raqi”, thuhet në njoftim.
Shoqata ka shprehur shpresën që Xhafer Raqi të gjendet sa më shpejt dhe në gjendje të mirë shëndetësore, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe qytetarët që po kontribuojnë e ofrojnë mbështetje në operacionin e kërkimit.