Prishtinë- Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj D.H dhe I.I., zyrtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të dyshuar për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Lajmin e ka konfirmuar, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka thënë Ulaj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi të hënën se Departamenti për Krime të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion me urdhër të Prokurorit të Shtetit ka ndaluar personat me inicialet D.H. dhe I.I., zyrtarë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të njëjtit dyshohen se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion me urdhër të Prokurorit të Shtetit ka ndaluar personat me inicialet D.H. dhe I.I., zyrtarë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak se të njëjtit dyshohen se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare, më konkretisht dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 i KPRK-së”, thuhej në njoftim.
Ndalohen dy zyrtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dyshohen për keqpërdorim të detyrës