Këta janë 4 burrat që u kthyen nga Siria e përfunduan në prangat e Policisë

110 persona mbrëmë shkelën tokën e Kosovës pas disa vitesh qëndrimi në vatra të luftës së Sirisë, e ndër ta ishin edhe katër burra që dyshohet se shkrepën edhe armë dhe i dolën zot ISIS-it.


Reporteri.net mëson nga burime brenda Prokurorisë se katër burrat që përfunduan në prangat e Policisë sapo kanë zbritur në Kosovë janë Agon Misini, Arijan Kryeziu, Rexhë Tafaj dhe Visar Qukovci.

Të katër këta të arrestuar janë dërguar mbrëmë në mbajtje me dyshimin e bazuar se kanë marrë pjesë në konflikte jashtë territorit të Kosovës, e cila gjë sanksionohet me ligj.

Ndërkohë, 106 personat e tjerë që janë gra dhe fëmijë janë dërguar në Qendrën e mbajtjes për shtetasit e huaj në Vranidoll. Për fatin e grave që u kthyen mbrëmë, mësohet se do të vendos Ministria e Drejtësisë.

Sidoqoftë, Reporteri.net mbrëmë raportoi ekskluzivisht për këtë operacion të kthimit të këtyre personave që po qëndronin në Siri prej vitesh.

Sjellja e tyre në Kosovë ishte bërë përmes Turqisë me një avion ushtarak dhe ka ateruar në orën 23:00./Reporteri.net