×
  • Lajme
  • Lajme / Presioni amerikan

    Konjufca: Escobari dallon nga Grenelli vetëm te çështja e shkëmbimit të territoreve

    Reporteri
    18 Mars 2024 | 21:35

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se emisari amerikan Gabriel Escobar dhe ish-emisari Richard Grenell kanë dallim vetëm te çështja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në televizionin Kanal10, Konjufca ka folur për kushtet që i ka përmendur Escobari për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Emisari amerikan Escobar ka thënë se dy kushtet e tjera janë shpronësimet që po bëhen në veri të Kosovës dhe tjetri është Asociacioni.

    Konjufca ka deklaruar se këto janë kushte që i ka shtuar vetëm Escobari.

    “Kjo që e tha Escobari mu duk si diçka e çuditshme, diçka që nuk është në Këshillin e Evropës, por diçka që e shtoi vetëm Escobari. Dhe këtë më duket se e bëri për arsye se nuk mundi të arrinte marrëveshje me Qeverinë për dinarin dhe më duket që e ngarkoi Kosovën padrejtësisht me disa kritere të cilat ne i kemi tejkaluar”, ka thënë Konjufca.

    I pyetur nëse Escobari është i ngjashëm me Grenellin, kryetari i Kuvendit ka thënë se “ata i përkasin orientimeve të ndryshme politike, mirëpo më duket se Escobari dallon nga Grenelli substancialisht vetëm në çështjen e kufirit, pra shkëmbimit të territoreve”.

    “Në çështjet e tjera, presioni që e ka ushtruar është i njëjtë me të Grenellit. Nuk kam parë ndonjë dallim”, ka shtuar ai.

    Përveç vendimit për Manastirin e Deçanit, Escobar thotë se janë edhe dy kushte që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në KiE

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!