×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca i përgjigjet Vuçiqit pasi ky i fundit e quajti Vetëvendosjen shoviniste e fashiste

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 20:04

    Abstenimi i dy anëtarëve të VV-së në Komisionin Qendror Zgjedhor e pamundësoi certifikimin e Listës Serbe në komunat, ku kjo parti ka përkrahje masive.


    Kjo ngjalli reagimin e ashpër të Beogradit, ku presidenti Aleksandar Vuçiq e quajti VV-në shoviniste e fashiste.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i është përgjigjur krerëve serbë.

    Konjufca thotë se për të qenë pjesë e politikës institucionale duhet të ndryshojë rrënjësisht qëndrimet për kombin shqiptar dhe për Republikën e Kosovës.

    Postimi i plotë i Konjufcës:

    Paskan reaguar i madh e i vogël në qeverinë e Serbisë, për mosregjistrimin e Listës Serbe nga KQZ-ja. Regjistrimin e LS e pamundësoi vota abstenuese e dy përfaqësuesve tanë në KQZ.

    Për të qenë pjesë e politikës institucionale në Kosovë Lista Serbe duhet t’i ndryshojë rrënjësisht qëndrimet e saj kundër Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar. Përfaqësuesit e tyre duhet të mësohen me faktin objektiv që Kosova është shtet i pavarur dhe që ata të cilët jetojnë në të duhet ta avansojnë këtë shtetësi, e jo ta rrënojnë atë. Ata dhe shefat e tyre në Beograd që e mohojnë gjenocidin në Kosovë dhe vazhdojnë ta kolonizojnë Kosovën me projekte si ‘Lugina e Diellit’ në Zveçan- janë të vetmit që e meritojnë mbiemrin ‘fashist’ e ‘shovinist’.

    Populli i Kosovës dëshiron paqe, zhvillim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë. Por pushtetarët serbë në Beograd dhe krijesat e tyre në Kosovë nuk e ndajnë të njëjtin vizion. Ata madje shajnë dhe kërcënojnë politikanët serbë të Kosovës që e njohin Kosovën. Përpjekja e tyre është që të hegjemonizojnë çdo serb të Kosovës, dhe kushdo që nuk pajtohet me linjën e Vuçiqit, e denoncojnë si tradhtar. Prandaj trysnia duhet të shkojë mbi qeveritarët serbë e jo mbi shtetin dhe popullin tonë i cili nuk do gjë tjetër përpos që të jetojë në paqe me të tjerët, rehat me veten, dhe ku sundon drejtësia e i hapet rrugë zhvillimit. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!