Konjufca: Premtimi për liberalizim pas Demarkacionit ishte gënjeshtër e Thaçit dhe Haradinajt

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se votimi i Demarkacionit me Malin e Zi, në këmbim të liberalizimit të vizave, ka qenë gënjeshtër e presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.


“Se liberalizimi i vizave do të ndodhë pas miratimit të marrëveshjes së demarkacionit ka qenë gënjeshtra më e madhe që kanë bërë presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj. Lëre më që ne nuk pajtoheshim që çështja e tokës duhet të jetë në ekuivalencë me këtë proces, por asnjë vend nuk ka marrë vizat duke bërë pazar me tokë. Këta e bënë me qëllim sepse duke e ditë që populli ka shumë nevojë me qarkullu ata e shpërndanë këtë ide se pa e votu këtë marrëveshje qytetarët nuk do të kenë liberalizim”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se letrat e shkëmbyera mes presidentit Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, janë përdorur vetëm për t’i mashtruar deputetet ta votojnë demarkacionin.
“Letrat e presidentëve nuk kanë pasur asnjë vlerë, kanë qenë vetëm për t’i mashtruar deputetet që ta votojnë demarkacionin. Pas komisionit Meha, ka dalë se ka pasur shkelje të mëdha, janë marrë edhe dokumente të vjetra prej vitit 1929. Ka qenë një proces jokredibil i pakontrolluar mirë. Letrat mes Thaçit dhe Vujanoviqit kanë qenë pjesë e marrëveshjes tonë, mirëpo në Malin e Zi marrëveshja në Kuvend është votuar pa letrën e Thaçit”, tha Konjufca në KTV.

I pari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se ende mungon vullneti i kryeministrit për të autorizuar Komisionin Shtetëror që të gjejë gabimet e demarkacionit me Malin e Zi.

“Komisioni ka pas me rregullu këtë vijë kufitare që është e padrejtë për Kosovën. Nuk ka mungu vullneti i Komisionit Shtetëror por ka mungu vullneti i kryeministrit. Vera e pranvera e vitit të kaluar kanë humbur mirëpo besoj që do të humbin edhe kjo pranverë edhe vera sepse nuk ekziston vullnet nga kryeministri për të ju thënë këtyre njerëzve shkoni t’i korrigjoni”, tha ai.

Ai ka folur edhe për demarkacionin e mundshëm me Serbinë derisa e ka cilësuar si proces më të vështirë krahasuar me atë me Malin e Zi.

“Demarkacioni mes Kosovës dhe Serbisë mund ti ketë problemet e veta për shumë arsye.
“Serbia do të paraqesë probleme, ajo e ka bë të qartë se Majën e Pançiqit e cila është një nga pikat më strategjike të Kosovës, pretendojnë se është e tyre”, shprehet ai. /Reporteri.net/.