×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova anëtarësohet në Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës

    Reporteri
    25 Prill 2019 | 18:02

    Kosova është anëtarësuar në Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës- IUCN.


    Me rastin e anëtarësimit të Kosovës, IUCN ka përgëzuar dhe mirëpritur shtetin në këtë union ndërkombëtar.

    Në komunikatën zyrtare që ata kanë publikuar thuhet që Kosova u bashkua zyrtarisht në IUCN , duke hyrë në një forum neutral në të cilin qeveritë, OJQ-të, shkencëtarët, bizneset, komunitetet lokale dhe të tjerët formojnë dhe zbatojnë zgjidhjet për sfidat mjedisore së bashku.

    “IUCN shpreh mirëseardhjen e saj të ngrohtë për Republikën e Kosovës si shteti anëtar më i ri në Unionin tonë. Ne besojmë se kjo do të na mundësojë të forcojmë më tej praninë dhe punën e IUCN-së në Kosovë, e cila shtrihet në një nga rajonet më të pasura në Evropë në aspektin e biodiversitetit dhe vlerave natyrore. Ne shpresojmë që do të angazhohemi së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ekspertët, komunitetet dhe shoqërinë civile në arritjen e qeverisjes më të mirë në menaxhimin e burimeve natyrore “, është shprehur në web faqen e tyre zyrtare Drejtoresha e Përgjithshme e IUCN, Inger Andersen.

    IUCN, me këtë rast ka dhënë dhe informata në lidhje me Kosovën, mjedisin e saj, zonat e mbrojtura e biodiversitetin.

    “Megjithëse relativisht e vogël në përmasa, Kosova karakterizohet nga biodiversiteti i pasur dhe një shkallë e lartë të endemizmit. Në vitin 2012, Kosova dyfishoi përqindjen e zonave të mbrojtura, nga rreth 4.36 në 11.5% të territorit. Pjesa më e madhe e territorit të zonave të mbrojtura bie në dy parqe të mëdha kombëtare, “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”.

    “Ndërkohë që është arritur përparim i dukshëm në drejtim të përcaktimit të zonave të mbrojtura, mjaft punë duhet të bëhet edhe kur bëhet fjalë për inventarin dhe ruajtjen e llojeve të rralla dhe të kërcënuara të florës dhe faunës. Për më tepër, Kosova përballet me kërcënime të ngjashme ndaj biodiversitetit si pjesa tjetër e rajonit, duke përfshirë urbanizimin dhe zhvillimin e infrastrukturës, përdorimin e tepruar të burimeve natyrore dhe mungesën e zbatimit të ligjit, mbi të gjitha”, kanë vlerësuar nder të tjerash zyrtarët e këtij unioni.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!