Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpërndarë një mesazh të fuqishëm pas protestës mbarëkombëtare që u zhvillua sot në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në postimin e tij, Rama shkruan se qytetarët nga çdo cep i trojeve shqiptare , nga Tirana në Prishtinë, nga Ulqini në Preshevë, nga Shkupi e deri në diasporën e largët, janë bashkuar në një zemër të vetme për të shprehur mirënjohje dhe krenari për ata që dhanë jetën për lirinë e kombit.

“Ky shesh frymon me gjakun dhe nderin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë! Sot, ky shesh është zemra e kombit që rreh me një ritëm të vetëm: ritmin e dinjitetit, të kujtesës dhe të krenarisë!”, shkruan Rama përbri fotografive, njëra prej të cilave krah për krah me djalin e ish-presidentit Hahsim Thaçi, Endritin..

Reklamë

Ai ka theksuar rëndësinë e drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se gjaku i tyre është themeli i shtetit të Kosovës dhe forca e gjallë e qenies shqiptare në Ballkan.

Rama ka bërë thirrje për një betim kombëtar për lirinë, kujtesën dhe drejtësinë që nderon sakrificën e çlirimtarëve.

“Lavdi UÇK-së. Lavdi çlirimtarëve”, përfundon mesazhi i tij.

Postimi i plotë: 

Të dashur bashkëkombës, motra e vëllezër nga çdo anë e trojeveshqiptare, nga Tirana në Prishtinë, nga Ulqini në Preshevë, nga Shkupi e në diasporën e largët, sot, në këtë shesh të ndritshëm, rreh një zemër e vetme shqiptare ??

Reklamë

Sot, ky shesh frymon me gjakun dhe nderin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë!

Sot, ky shesh është zemra e kombit që rrah me një ritëm të vetëm: ritmin e dinjitetit, të kujtesës dhe të krenarisë!

Në këtë shesh, përkulemi me mirënjohje para atyre që rrokën pushkën për nder, për tokë, për gjuhë.

Sot, jemi bashkë për t’i dhënë zë asaj të vërtete që s’mund të heshtet: Se lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, çlirimtare! Se gjaku i djemve e vajzave të UÇK-së është themel i shtetit të Kosovës dhe forca e gjallë e qenies shqiptare në Ballkan.

Reklamë

Nga ky shesh, le të ngrihet një zë i vetëm: Nder për luftëtarët e lirisë! Krenari për bijtë e kombit! Drejtësi për çlirimtarët!
Tirana, Prishtina, Shkupi, Ulqini, Presheva, diaspora janë sot një trup, një zemër, një flamur ??

Asnjë mur, asnjë pengesë, asnjë proces s’ka forcë me nda atë që u lidh me gjak e me besë.

Kush e don drejtësinë, e don edhe UÇK-në. Kush e don paqen, e nderon lirinë që sollën çlirimtarët tanë. Kush e don të ardhmen, e din se ajo ndërtohet mbi të vërtetën e sakrificës, e jo mbi padrejtësitë.

Prandaj, le ta bëjmë këtë ditë betim të ri kombëtar: për lirinë që nuk shuhet, për kujtesën që nuk harron, për drejtësinë që nderon sakrificën.

Reklamë

Drejtësi për ata që ngritën flamurin në ditët më të errëta. Drejtësi për ata që mbajtën pushkën për t’i dhënë kombit frymë. Drejtësi për të burgosurit e ndërgjegjes që s’kanë rrëfim tjetër veç të vërtetës.

Tiranë, sot je kryeqyteti i të gjitha zemrave shqiptare. Sot, çdo flamur është një frymë. Çdo frymë, një betim. E çdo betim, një rrëfim për ata që i dhanë kuptim fjalës Atdhe.
Lavdi UÇK-së. Lavdi çlirimtarëve.