Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën, në orën 11:00, për të diskutuar dhe përcaktuar rendin e ditës për seancën e ardhshme plenare.

Në mesin e pikave të propozuara për shqyrtim janë tri projektligje: Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë, të cilat pritet të kalojnë në shqyrtim të parë.

Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për auditimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2025.

Reklamë

Në rendin e ditës janë përfshirë edhe propozimet e grupeve parlamentare të LVV-së, PDK-së dhe Listës Serbe për zëvendësimin apo emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Kryesia do të shqyrtojë gjithashtu edhe propozimet dhe kërkesat e tjera të paraqitura.