Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës në fshatin Gazivod të Zubin Potokut, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin po udhëtonin janë gjetur katër armë zjarri.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 16:15, kur zyrtarët policorë kanë ndaluar për kontroll rutinor një veturë me targa vendore.
Gjatë kontaktit me policinë, drejtuesi i automjetit, i lindur më 1993, ka deklaruar se posedonte armë të cilat, sipas tij, i kishte gjetur në një thes, disa metra larg vendit ku ishte ndaluar vetura. Në automjet ndodhej edhe një pasagjer i lindur më 1973.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri, një AK-47 dhe tri armë të tipit M-48.
Me urdhër të prokurorit, policia ka kontrolluar edhe adresat e banimit të dy të dyshuarve në Mitrovicë të Jugut, por aty nuk është gjetur ndonjë send i kundërligjshëm.
Të dy personat janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.