×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryetarët e rinj që morën sot “timonin” nëpër komuna sigurojnë t’i përmbushin premtimet

    Reporteri
    06 Dhjetor 2021 | 15:08

    Ardian Gjini, Shaqir Totaj dhe Ferit Idrizi, ishin tre kryetarët e rinj që morën sot përgjegjësi të reja nëpër komuna.

    Gjini sot dha betimin si kryetar i Gjakovës, dhe edhe për mandatin e tij të dytë tha se do të punojë me të gjitha partitë tjera që Gjakova t’i tejkalojë të gjitha sfidat që ka. Ai premtoi t’i përmbushë zotimet e dhëna, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Totajt iu dorëzua zyrtarisht mandati nga ish-kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka. Edhe Totaj premtoi se do t’i përfundojë të gjitha premtimet e dhëna.

    Idrizi, po ashtu sot u betua si kryetar i ri i Vushtrrisë. Ai iu drejtua qytetarëve duke iu thënë se “do t’i mbajë premtimet”.

    Javën e kaluar betimin e ka dhënë edhe Fadil Nura si kryetar i Skenderajt e Ekrem Kastrati si kryetar i Malishevës.

    Edhe këta të fundit premtuan t’u qëndrojnë stoik premtimeve që kanë dhënë te qytetarët.

    Ndërkaq komunën më të madhe të Kosovës, pritet ta drejtojë së shpejti Përparim Rama.

    Rama do ta marrë zyrtarisht detyrën e kryetarit të martën, më 7 dhjetor.

    Mbledhja inauguruese ku pritet të bëhet betimi i anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe betimi i kryetarit Rama do të bëhet në ora 10:00.

    Gazeta Online “Reporteri.net” raportoi dy ditë më parë se Alban Zogaj do të jetë nënkryetar i Prishtinës.

    Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 17 nëntor, ndërsa në 21 komuna u zhvillua rundi i dytë i zgjedhjeve. Në balotazh ishin 21 komuna, përfshirë dhe Prishtinën. Në të gjitha këto komuna në zgjedhjet e 17 tetorit, asnjë kandidatë nuk mori më shumë se 50% të votave të nevojshme për t’u shpallur fitues.

    Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit pjesëmarrja në votime për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave dhe asambletë komunale në 38 komunat e Kosovës ishte rreth 43%.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!