×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Kryeziu: Vendimi i Gjykatës nuk ofron rrugëdalje nga bllokada – rishkrim i Kushtetutës

    Reporteri
    08 Gusht 2025 | 16:02

    Ish-Nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, bazuar në njoftimin e publikuar, sa i përket ngërçit institucional.

    Kryeziu ka thënë se ka pritur më shumë qartësi dhe rrugëdalje nga bllokada, por se sipas tij, ky vendim nuk e ofron këtë, shkruan Reporteri.net.

    Sipas tij, pjesa e vendimit ku Gjykata konstaton se votimi për një kandidat për Kryetar Kuvendi mund të bëhet vetëm tre herë, është problematike.

    “Pavarësisht arsyetimit që mund të japë Gjykata, gjë që do ta lexojmë kur ta kemi tekstin e plotë të Aktgjykimit, vendimi që e drejta e nominimit të një kandidati të caktuar të kufizohet në tre herë nuk ka bazë në dispozitat materiale të Kushtetutës.  Me keqardhje e them që kjo gjë është vazhdim i praktikës që ka instaluar Enver Hasani ku vazhdohet praktika e shpikjes së gjërave. Efektivisht, dhe kjo nuk ka si të thuhet ndryshe, Gjykata e ka rishkruar nenin 67 të Kushtetutës”, ka shkruar Kryeziu.

    Sa i përket konstatimit që votimi për zgjedhjen e Kryeparlamentarit duhet të jetë i hapur, Kryeziu thotë se nuk ekziston asnjë dispozitë materiale juridike që i jep Gjykatës të drejtën të vendosë për një formë të votimit ose tjetrën, aq më tepër kur vetë Gjykata disa herë është deklaruar që të dy format e votimit janë të mundshme

    Problematike e cilëson edhe pjesën që Kushtetuesja i urdhëron deputetët të marrin pjesë në seancë dhe votim.

    “…Gjykata nuk mund t’i urdhërojë deputetët çfarë të bëjnë. Me këtë formulim, njësoj si në vitin 2014, Gjykata është në shkelje të pikës 1 të nenit 70 të Kushtetutës. Refuzimi për të votuar dhe refuzimi për të marr pjesë në një proces votimi është manifestim i vullnetit të lirë politik të deputetit, një e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe konventa ndërkombëtarë që janë të zbatueshme në Kosovë”.

    Sipas Kryeziut, në këtë vendim mungon qartësia për rrugën përpara në ndërtimin e institucioneve.

    “Gjykata nuk ka treguar çfarë ndodh pas skadimit të afatit 30 ditor, pra cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të afatit. Po ashtu Gjykata nuk ka treguar çfarë pasojash juridike kanë deputetët që nuk i binden pikës 5 të vendimit, gjegjësisht urdhrit që të jenë të pranishëm dhe të votojnë”, ka shkruar Kryeziu.

    Në fund, ai u është drejtuar me një mesazh kolëgeve të tij nga Kushtetuesja.

    “Kolegë të dashur nga Gjykata Kushtetuese, e respektoj vendimin tuaj, por kjo nuk do të thotë që keni vepruar mirë.  Prisja më shumë nga ju”, përfundon postimi i Kryeziut./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!