×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Në ora 11:00

    Kurti dhe Abdixhiku takohen sot për çështjen e presidentit

    Reporteri
    06 Prill 2026 | 7:02

    Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të takohen sot për të diskutuar rreth çështjes së presidentit.

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi të premten mbrëma në një emision televiziv se Abdixhiku do të takohet me Kurtin të hënën, por nuk tregoi kohën e mbajtjes së takimit.

    Burime të Gazetës Online Reporteri.net brenda LDK-së kanë treguar se takimi mes Kurtit e Abdixhikut do të mbahet sot në ora 11:00 në Kuvendin e Kosovës.

    Kreu i ekzekutivit tha të premten se nga e hëna do të nisë takimet me krerët e partive opozitare për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.

    Kujtojmë se të shtunën Vjosa Osmani përfundoi mandatin e presidentes, dhe ia dorëzoi mandatin ushtrueses së detyrës së presidentes kryetares të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka të drejtë të mbajë këtë pozitë më së shumti gjashtë muaj.

    Haxhiu pas marrjes së detyrës ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vijojë procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri brenda afateve kushtetuese.

    Kurse, Osmani pasi dorëzoi mandatin tha se shpreson që Kuvendi sa më parë të jetë e mundur do ta zgjedh presidentin e ri në mënyrë që të ketë stabilitet institucional, në një kohë kur bota po përballet me kriza të mëdha.

    Kujtojmë se pas dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese me datën 25 mars, doli me një vendim ku u dha deputetëve edhe 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit të ri. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!