Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar që të flasë për dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Kurti gjatë homazheve në Prekaz,  ka thënë se sot gjatë ditës do të ketë ngjarje të organizuara edhe në Prishtinë dhe se për këto çështje do të deklarohet nga Prishtina.

“Sot është dita e dytë e epopesë, në ora 13:00 e kemi një ekspozitë në Kuvend, kemi edhe akademi. Për të gjitha çështjet e politikës, do t’iu përgjigjem nga Prishtina”, ka thënë Kurti.

Reklamë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë  sot dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja.

Osmani tha se fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët që i kishte në dispozicion, nuk e ndryshon Kushtetutën.

“Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët që i kishte në dispozicion, nuk e ndryshon Kushtetutën tonë. Asnjë kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon automatikisht rrjedhjen e afatit kushtetues. Vetëm një vendim i Gjykatës do të mund ta bënte një gjë të tillë. Dhe një vendim i Gjykatës nuk ekziston deri në këto momente. Kemi një situatë ku afati kushtetues tashmë ka përfunduar”, tha ajo.

Ajo u shpreh se vendin në këtë situatë e sollën “njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Reklamë

“Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme. Alternativa pra, zvarritjet do të krijonin situata shumë më të rrezikshme. Paqartësi kushtetuese, një proces i zvarritu pafund, siç e kemi parë në tërësi edhe vitin e kaluar dhe një shtet që tenton ta relativizojë edhe vet Kushtetutën e tij.

Shteti mbahet në këmbë nga një parim i vetëm: Ligji e Kushtetuta mbi të gjithë. Sot po përmbush një detyrim të qartë kushtetues dhe po ua rikthej fjalën atyre që në demokraci e kanë fjalën e fundit, qytetarit të Republikës”, tha Osmani./Reporteri.net/