Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë sot në hapjen e konferencës së dytë ndërkombëtare “Nga lufta në rimëkëmbje”, e organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Gjatë fjalimit që ka mbajtur, Kurti ka përmendur seancat gjyqësorë në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK’së, duke thënë se procesi gjyqësor nuk do të mund ta ndryshojë të vërtetën historike se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe e domosdoshme, për liri dhe për mbijetesë, jo nga dëshira për dhunë apo pushtet.
Më pas ka kërkuar themelimin e një Gjykate Speciale për “Sarajevo Safari“, për të hetuar dhe gjykuar vrasjen e civilëve boshnjakë me snajper në vitet e 90-ta, shkruan Reporteri.net.
Kurti tha se rol ka pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“…ka gjithnjë e më shumë informacione, dëshmi e fakte se ka pasur “Sarajevo Safari” ku rol thuhet të ketë pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ç’rast për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjak civilë me snajperë në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar e gjykuar krimet e “Sarajevo Safari” do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë Kurti, sipas ZKM’së.
Ndryshe, Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj disa italianëve që dyshohet se kanë paguar anëtarë të ushtrisë serbe të Bosnjës për udhëtime në Sarajevë, në mënyrë që të mund të vrisnin civilë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit në vitet 1990.
Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga bombardimet e vazhdueshme dhe zjarri i snajperëve midis viteve 1992 dhe 1996, gjatë asaj që konsiderohet si rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.
Prokurorët në Milano hapen hetimin pasi gazetari Ezio Gavazzeni, deponoi kallëzim penal mbi pretendimet se italianë dhe të huaj të tjerë kishin paguar anëtarë të forcave serbe boshnjake për t’i lejuar të merrnin pjesë në ekskursione për të gjuajtur me armë, të cilat disa i quanin “turizëm snajperi”.
Gavazzeni tha se u frymëzua të hetonte këto pretendime pas shikimit të dokumentarit të vitit 2022 “Sarajevo Safari” nga regjisori slloven Miran Zupanic.
Gavazzeni tha se të huajt e pasur paguanin shuma të mëdha parash për të marrë pjesë. Ai tha se italianët zakonisht takoheshin në qytetin e Triestes para se të udhëtonin drejt Beogradit, ku ushtarët serbë boshnjakë i shoqëronin ata në kodrat që shikonin mbi Sarajevë.
Hapja e hetimit italian në nëntor 2025 rriti shpresat e të mbijetuarve që përgjegjësit të dënoheshin./Reporteri.net
Reklamë
“Turistët snajperistë” në Sarajevë, Italia po heton një 80-vjeçar