Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës është një çështje urgjente, pasi mosarritja e kësaj zgjedhjeje do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Kurti ka theksuar se çështja e presidentit dhe ajo e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë janë tema të ndara, por sipas tij, të dyja tejkalojnë interesat e një partie politike.

Duke folur për katër të dënuarit në shkallë të parë në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, Kurti ka thënë se Kosova duhet të angazhohet për procesin e apelit dhe të ndërtojë një strategji shtetërore e kombëtare për këtë çështje.

Reklamë

“Për katër të dënuarit në shkallë të parë, ne besojmë për korrigjim në apel, në njërën anë, dhe në anën tjetër një strategji shtetërore e kombëtare për të fituar këtë betejë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka paralajmëruar se, nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi mund të futet në një cikël të ri zgjedhor dhe të mbetet pa institucione funksionale.

“Pa president sot, Kosova për muaj të tërë është në zgjedhje dhe pa institucione funksionale”, ka thënë ai.

Kurti ka argumentuar se një situatë e tillë do ta vështirësonte edhe angazhimin institucional për procesin e apelit në Hagë, për të cilin tha se duhet të nisë gjatë këtij muaji dhe jo të shtyhet për vitin e ardhshëm.

“Është paradoksale, përveçse e dëmshme, të thuash se nuk ka temë më të rëndësishme se Gjykata Speciale dhe mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, dhe ta dërgosh vendin në zgjedhje për president”, ka thënë Kurti.

Reklamë

Ai ka përsëritur se për momentin prioritet duhet të jetë tejkalimi i pengesës për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që institucionet të kenë mundësi të merren me çështjet e tjera, përfshirë procesin në Hagë.