×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT

    Kurti njofton se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit, sipas aktgjykimit të Kushtetueses

    Reporteri
    13 Mars 2024 | 11:48

    Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar sot në Mbledhje të Qeverisë së Kosovës se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit sipas aktgjykimit të vitit 2016, të Gjykatës Kushtetuese, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kreu i ekzekutivit në Mbledhjen e Qeverisë bëri të ditur se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.

    “Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve na është bërë e qartë se nga shumë kushte që kemi pasur për anëtarësim në Këshill të Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo urgjente. Por, njëri mbetet dhe nuk do të hiqet. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it që duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: Të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje, me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

    “Sot i kemi thënë Agjensionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja Donika Gërvalla i ka kërkuar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës. Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit atje, kah mesi i prillit Asambledhja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe në fund të majit, Këshilli i ministrave në Këshillin e Evropës që vendos për anëtarësimin tonë”, njoftoi kryeministri Kurti.

    Gazeta Online Reporteri.net, javën që shkoi, raportoi me burime se Qeveria e Kosovës po punon në drejtimin e mënjanimit të pengesave që mund t’i paraqesë Agjencia Kadastrale e Kosovës karshi implementimit të aktgjykimit të vitit 2016 që njeh Manastirin e Deçanit si pronarin legjitim të 24 hektarëve tokë dhe pyje përreth. Sikurse që ekzekutivi ka nisur komunikim me Komunën e Deçanit që drejtohet nga partia opozitare AAK, për ta bindur kryetarin Bashkim Ramosaj që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë Republikës së Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit tonë. Askush s’ka të drejtë t’ia humbas qytetarëve të Kosovës të drejtën që të ndjehen qytetarë të barabartë. Shtet i konsoliduar e i barabartë në kontinetin evropian, je para së gjithash duke qenë anëtarë Këshillit të Evropës. Mbi të gjitha kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotëninë e tij, por megjithëkëtë për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet bërë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur dhe sovran”, tha sot Kurti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!