×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT

    Tokat e Manastirit të Deçanit “kompromisi” i Kosovës për anëtarësimin në KiE

    Autor:Linda Ibrahimaj
    06 Mars 2024 | 17:03

    Një aktgjykim i vitit 2016, i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për çështjen e 24 hektarëve tokë dhe pyje që t’i takojnë Manastirit të Deçanit, mund të gjejë implementim tash pas 8 vitesh, me shtysë të Qeverisë së Kosovës e udhëhequr nga kundërshtari – të paktën deri më tash – i zëshëm i këtij vendimi, Albin Kurti, gjoja në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    I bazuar në “politikën diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, insistonte për vite me rresht se është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për t’i detyruar autoritetet lokale të Deçanit që t’ia kthejnë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyje përreth objektit të kultit serb.

    Pak më shumë se dy vjet nga hera e fundit kur Kurti dha deklarimin e përfolur më sipër, Qeveria e tij është gati të shtyjë përpara këtë proces, gjoja në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka marrë vesh gazeta online Reporteri.net.

    Qeveria e Kosovës është e gatshme “të taktizojë” duke e avancuar implementimin e këtij vendimi, në prag të dy mbledhive të rëndësishme të përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, që zhvillohen gjatë prillit dhe majit, e të cilat janë vendimtare për aplikimin që ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar në emër të Kosovës, në Strasburg, më 12 maj 2022.

    Gazeta Online Reporteri.net, nga burime të besueshme brenda procesit, merr vesh se Qeveria e Kosovës, ka nisur komunikim me Komunën e Deçanit që drejtohet nga partia opozitare AAK, për ta bindur kryetarin Bashkim Ramosaj që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sikurse ekzekutivi kosovar po punon edhe në drejtimin e mënjanimit të pengesave që mund t’i paraqesë Agjencia Kadastrale e Kosovës karshi implementimit të aktgjykimit të vitit 2016 që njeh Manastirin e Deçanit si pronarin legjitim të tokave në fjalë.

    Rregullimi përfundimtar i pronësisë së tokave të Manastirit të Deçanit, përmes respektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si “kusht” për anëtarësimin e Kosovës në KiE ishte përmendur para rreth një muaji nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili shprehimisht në një intervistë pati thënë se nuk sheh që kandidatura e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës “do të zbatohet me sukses nëse kjo çështje nuk zgjidhet”.

    Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për vite me radhë kanë kërkuar në vazhdimësi nga qeveritë kosovare që ta respektojnë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese.

     “Përgatitja” e opinionit për hapin “e papritur”

    Regjistrimi i tokës që i përket Manastirit të Deçanit – vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese dhe në një formë nga vetë zyra kadastrale e Deçanit – mund të shënojë një avancim shumë të madh të percepsionit e të pozitës së Kosovës si shtet evropian, përfshirë edhe anëtarësimin në Këshill të Evropës. Pa këtë akt, Kosova do të vazhdojë të trajtohet në zonën e hamendjes. Këto janë fjalët që Veton Surroi, këshilltar i jashtëm i Qeverisë së Kosovës për Dialog i shkroi në një “vështrim” të botuar në mediumin në pronësi të familjes “Koha”.

    Komplet shkrimi i tij, paraqet mbështetje që Qeveria e Kosovës të lëvizë përpara me implementimin e vendimit për pronësinë e tokave të Manastirit, të cilat shefi i Surroit, Kryeministri Albin Kurti deri më tash me këmbëngulje i ka kundërshtuar, me arsyetimin se Kushtetuesja e Kosovës me aktgjykimin e saj të nxjerrë në vitin 2016 legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviqit e vitit 1997.

    “Regjistrimi i pronës mund të jetë pikë-kthesa për një aspiratë evropiane të Kosovës. Në hapat përfundimtarë të procesit të shqyrtimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, regjistrimi i pronës së Manastirit të Deçanit do të ishte një shenjë tejet e nevojshme për përkushtimin e Kosovës si në sundim të ligjit ashtu edhe për ndërtimin e mirëbesimit mes kulturave e religjioneve të saj”, shkruan Surroi.

    Pa këtë sinjal të Kosovës nuk mund të bëhet asnjë hap përpara për anëtarësim në Këshill të Evropës, sugjeron Këshilltari i Qeverisë Kurti në Dialog, në kolumën e tij të botuar sot.

    Aplikimi i Kosovës në KiE dhe procesi drejt anëtarësimit

    Kosova në maj të vitit 2022 kishte aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e kishte bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

    Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

    Me 24 prill 2023, gati një vit pas aplikimit, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, i organizatës më të rëndësishme evropiane për të drejtat e njeriut, sundim të ligjit dhe demokraci, me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare kishte vendosur në favor të përmbylljes së etapës së pare të anëtarësimit të Kosovës në KiE, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare.

    Si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE, i cili pritet të paraqitet gjatë këtij muaji në Strasburg. Pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim, e që pritet të ndodhë në fillim të majit të këtij viti.

    Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

    Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të vitit 2022 ishte përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

    Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet.

    “Saga” me pronësinë e tokave të Manastirit të Deçanit

    Kontesti juridik për atë se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll, ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit të Deçanit, ka zgjatur 16 vjet.

    Më pas, më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim në favor të Manastirit të Deçanit, gjegjësisht ka anuluar vendimin e Këshillit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore të Deçanit.

    Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, ka përcaktuar se vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë nga viti 2012, i cili vërtetonte të drejtën e pronësisë së manastirit mbi tokën në kontest, është “res judicata” (çështje e aktvendimit përfundimtar).

    Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuar t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.

    Ato vlerësojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqit, të vitit 1997, kur ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit.

    Pikërisht mbi këto pretendime, deri më tash, shpesh janë thirrë edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Për ta, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën “diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë nga vitet ‘90.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!