Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se një nga synimet kryesore të Qeverisë është rritja e prodhimit vendor dhe shtimi i eksporteve, duke theksuar se Kosova nuk duhet të jetë vetëm treg për produktet e huaja.
Në prag të Forumit të Tretë Ekonomik Kosovë-Poloni, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër në Prishtinë, Kurti është takuar me përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit, ekspertë dhe ndërmarrës nga të dyja vendet.
Gjatë këtij takimi, Kurti ka theksuar orientimin e Kosovës drejt fuqizimit të prodhimit vendor.
“Ne duam të rrisim prodhimin në vendin tonë dhe të eksportojmë sa më shumë jashtë tij. Nuk duam të jemi vetëm treg për të tjerët, por të ofrojmë produkte, shërbime dhe të bëhemi partnerë nëpërmjet investimeve në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se forumi Kosovë-Poloni do të përqendrohet në tri fusha kryesore: ekonominë dhe qeverisjen digjitale, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike, si dhe avancimin e prodhimit, infrastrukturës dhe energjisë.
Sipas Kurtit, ky forum paraqet mundësi për shkëmbim përvojash, krijim të lidhjeve të reja ekonomike dhe thellim të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Polonisë.