Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka kandidat të preferuar për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, por ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj Blerim Isufajt, duke thënë se ky i fundit nuk bën se ia ka hequr urdhërarrestin kryekriminelit Milan Radojiçiq.
Kurti tha se Kosova ka 200 prokurorë dhe se nuk ka propozuar ndonjë emër të preferuar për këtë post.
“Nuk e di si do të sillet kryeprokurori i ri, por unë veç po them se ky (Blerim Isufaj) nuk bën. 200 prokurorë i ka Kosova dhe asnjëherë nuk kam thënë se filani apo fistekja duhet të bëhen kryeprokuror, por veç unë po them se ky nuk bën, ky që e ka lëshu Radojiçiqit nuk bën, ky ia ka heq urdhërarrestin Radojiçiqit, nuk bën ai me u bo kryeprokuror, edhe ai vet e di që nuk bën. Është shumë interesant pse po insiston, kush qëndron prapa atij personi që e shtyn të insiston, ose a është aq iracional sa që pavarësisht tre krerët shtetërorë publikisht janë deklaruar kundër tij, ai institonte të bëhet kryeprokuror, këtu diçka nuk është në rregull. Unë edhe një herë nuk po them që kam njeri të preferuar për kryeprokuror, 199 tjerë janë, e ky po thotë veç unë i 200-ti duhet, unë po them nuk duhet”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për Kanal10, shkruan Reporteri.net.
Kurti deklaroi po ashtu se Prokuroria nuk është plotësisht e pavarur nga Qeveria, duke shtuar se në disa vende evropiane pavarësia i takon kryesisht gjyqësorit.
“Prokuroria nuk është realisht e pavarur nga Qeveria, edhe në plot vende evropiane, gjyqësori është ai, por tash e kemi një situatë ku një faqë pushteti politik në Prokurori i cili ia heq urdhërarrestin kryekriminelit Radojiçiq. Nuk ka garanci që kryeprokurori i ardhshëm do të ishte i shkëlqyeshëm, nuk e di unë atë, por e di që ky është shumë i keq”.
“Është interesant që ky person kur iu ka luhat karriga e tij, tash po bën ndërskamca procedurale, por m’i përngjan pak opozitës”.
“Tash çfarë po bën prokurori Isufaj, ka të bëjë me vonesa, vec po mundohet me ia zgjatë vetës diqysh, e ka pa se karriga më nuk i ka katër këmbë, në të cilën është ulur, nuk ia kam numëru sa, por katër nuk i ka”, ka thënë Kurti. /Reporteri.net/.