Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te shtatorja e Heroit të Kosovës, Xhavit Haziri, në Obiliq, në 28-vjetorin e rrëmbimit dhe zhdukjes së tij nga Serbia.
Kurti ka kujtuar se Haziri u rrëmbye më 17 shtator të vitit 1998 nga pjesëtarë të shërbimit sekret serb dhe se që nga ajo ditë vazhdon të figurojë si person i zhdukur.
“Sot, për ta kujtuar jetën dhe nderuar veprën e Xhavit Hazirit, bëmë homazhe pranë shtatores së tij në Obiliq, në përvjetorin e zhdukjes së tij më 17 shtator të vitit 1998”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit, atë ditë Haziri kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në zyrat e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, ku punonte.
“Kur po kalonte afër Xhamisë së Llapit, dy zyrtarë të shërbimit të fshehtë të Serbisë e rrëmbyen dhe e futën në makinën e tyre të markës ‘Golf’ me ngjyrë të bardhë. Dëshmitarët e rastit kanë deklaruar që kjo makinë lëvizi në drejtim të rrugës ku gjendej Medreseja e Prishtinës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se katër ditë pas rrëmbimit, më 21 shtator, familjarët e Hazirit e raportuan zhdukjen e tij në media.
“Por ai ka mbetur i zhdukur që nga ajo kohë deri sot”, ka thënë Kurti.
Xhavit Haziri, me origjinë nga Druari i Vushtrrisë, kishte lindur në vitin 1960 dhe ishte shkolluar në Obiliq. Ai kishte përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës.
Pas demonstratave të vitit 1981, Haziri ishte angazhuar në përafrimin dhe bashkimin e organizatave të fshehta politike në Kosovë. Për aktivitetin e tij politik, ai kishte vuajtur dënim me burg nga viti 1986 deri më 1990.
Pas lirimit, Haziri vazhdoi aktivitetin e tij politik dhe patriotik në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Haziri do të kujtohet për angazhimin e tij patriotik dhe kontributin në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri.