Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në një konferencë për media për çështjen e zgjedhjes së presidentit teksa afrohet 6 tetori.
Ai ka përmendur unitetin e treguar për miratimin deklaratës së Kuvendit të Kosovës për gjyqin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kreu i LVV’së ka thënë se nuk është punë e mençur që në këtë kohë të shkohet në zgjedhje e të hyhet në rivalitete të ashpëra zgjedhore.
“I kemi gjashtë ditë. Është e domosdoshme të kemi takime të reja. Në njërën anë na duhet strategji për të pandehurit në Hagë dhe në anën tjetër duhet të kemi stabilitet. Nuk besoj që është punë e mençur të hyjmë në rivalitete të ashpëra zgjedhore. Prandaj duhet të ketë takime dhe unë besoj që do të mund të ulemi e diskutojmë dakordësinë e se hënës ta vazhdojmë edhe më tej”, ka thënë Kurti.

Lirim Greiçevci, pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-prokurorit Clint Williamson, të cilin e ka akuzuar për deklarata të rreme lidhur me hetimet për pretendimet e raportit të Dick Martyt.
Me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, Greiçevci e ka quajtur Williamsonin “prokuror mashtrues”, duke thënë se ai është “më i dëmshëm se Dick Marty”.
“Paska folur sërish ky prokurori mashtrues, Clint Williamson. Ai është më i dëmshëm se Dick Marty. Pasi u mor me hetimin e raportit të këtij të fundit, për gati tri vite, doli në konferencë shtypi në Bruksel dhe gënjeu se i kishe “vërtetuar përgjithësisht” akuzat në raportin e Martyt. Gënjeu edhe më zi, duke thënë se trafikimi me organe kishte ndodhur në disa raste të kufizuara, të cilat mund të numëroheshin “në gishta të duarve”, dmth jo më shumë se dhjetë raste. Gënjeu gjithashtu se e kishte të gatshme një aktakuzë dhe se vetëm po priste formimin e një gjykateje”, ka deklaruar Greiçevci.
Reagimi i tij vjen pas intervistës së prokurorit Clint Williamson për BIRN-in, i cili ndër të tjera deklaroi se Kosova s’arriti ta përgatisë publikun për vendimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
“Si e dimë që gënjeu Williamson? Ekipet mbrojtëse kanë parë dokumentacionin e tij që ka lënë prapa ai. Ai nuk kishte vërtetuar asgjë, aq më pak trafikim organesh. Aktakuza e tij fantome nuk u dorëzua as nuk u konfirmua asnjëherë. Ai i hetoi ngjarjet e pasluftës në Kosovë. Trupi gjykues, edhe ashtu, i hodhi poshtë të gjitha akuzat pas 20 qershor 1999”, deklaron më tej Greiçevci.
“Kosova duhet të kërkojë përgjegjësi nga ky mashtrues. Ai duhet të na tregojë se a mashtroi vetë, apo e nxiti dikush tjetër të mashtrojë. Tash flitet se ai punon për ndjekjen e krimeve në Ukrainë. Vaj halli për Ukrainën”, përmbyll shkrimin ai.

Gjyqtarja franceze, Michele Picard do të kryesojë Panelin e Gjykatës së Apelit në procedurën e apelit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kjo bëhet e qartë nga vendimi i publikuar më 29 shtator 2026 lidhur me modalitetet e pjesëmarrjes së viktimave në procedurën e apelit.
Në dokumentin zyrtar, Paneli i Apelit përbëhet nga Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, ndërsa në fund të vendimit Picard identifikohet shprehimisht si gjyqtare kryesuese.
Zhvillimi vjen në kohën kur procedura ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën e apelit pas Aktgjykimit të shpallur më 16 shtator 2026.
Më 29 shtator, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër Aktgjykimit.
E njëjta zgjatje iu dha edhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërsa 27 nëntori 2026 është caktuar si afati deri kur ekipet e Mbrojtjes dhe ZPS-ja duhet t’i dorëzojnë njoftimet e tyre për apel.
Dokumenti për pjesëmarrjen e viktimave konfirmon se më 22 shtator Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kishin paraqitur bashkërisht kërkesë për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimit për apel ndaj Aktgjykimit të shkallës së parë.

Paneli ka miratuar gjithashtu modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave gjatë procesit të apelit, duke vendosur që të zbatohet një regjim i ngjashëm me atë të përdorur gjatë gjykimit në shkallën e parë, me përshtatjet e nevojshme për fazën e apelit.
Sipas vendimit, pjesëmarrja e viktimave duhet të kufizohet në çështjet që prekin interesat e tyre personale dhe nuk mund të jetë në kundërshtim apo të cenojë të drejtat e të akuzuarve.
Viktimat do të vazhdojnë të përfaqësohen përmes Mbrojtësit të Viktimave dhe nuk mund të përfaqësojnë vetveten në procedurë. Paneli ka theksuar se do të ruajë kontrollin mbi mënyrën e pjesëmarrjes së tyre gjatë gjithë procesit të apelit.
Mbrojtësi i Viktimave do të vazhdojë të ketë qasje në dosjen e çështjes, përfshirë parashtresat, transkriptet dhe materialet provuese publike, konfidenciale dhe rreptësisht konfidenciale, me përjashtim të materialeve “ex parte” ndaj Mbrojtësit të Viktimave. Ai gjithashtu do të mund të marrë pjesë në seancat e apelit, përveç atyre ku përjashtohet shprehimisht.
Në Aktgjykimin e 16 shtatorit, trupi gjykues kishte evidentuar se 156 viktima kishin marrë pjesë në procedurën gjyqësore.


Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka publikuar oraret dhe pikat e nisjes së autobusëve nga qytete të ndryshme të Kosovës, për qytetarët që do t’i bashkohen protestës së 1 tetorit në Prishtinë.
Protesta do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 16:00, ndërsa autobusët do të nisen në orare të ndryshme nga komunat dhe vendbanimet e Kosovës.
Sipas njoftimit, nisje të organizuara do të ketë nga Prizreni, Suhareka, Vitia, Ferizaj, Podujeva, Kamenica, Vushtrria, Malisheva, Gjakova, Istogu, Kaçaniku, Drenasi, Skenderaj, Klina, Rahoveci, Lipjani dhe qytete e fshatra të tjera.


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se beson se çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara mund të kryhet edhe para datës 6 tetor.
“Ne duhet të vazhdojmë procedimin e ligjit për të cilin jemi marrë vesh dhe që tani është në Qeveri, në tavolinën e zotit Kurti. Prioritet në vendin tonë është t’i përgjigjemi sulmit të orkestruar të bllokut të keq mbi mekanizmat dhe institucionet e vendit tonë. Unë e di që mund të bëhet edhe para datës gjashtë, edhe kryeministri po ashtu u shpreh”, deklaroi Mustafa.
Tutje, Mustafa u pyet nëse ka sinjale positive nga kryeministri lidhur me këtë, dhe ai pohoi se ka sinjale pozitive.
Ndër të tjera, Mustafa foli lidhur me një takim që e kishte pasur me kryeministrin Albin Kurti, para datës 16 shtator.
“Komunikimi që kam pasur me zotin Kurti ka qenë para 16 shtatorit. Ka qenë i mirë, gjë që kemi folur për bashkëpunimin institucional mes Partisë Demokratike dhe Vetëvendosjes, dhe unë e di që ka mundësi të shumta”, deklaroi më tej Mustafa në Tëvë1.
Mustafa tha se shpresë i jep miratimi i deklaratës së përbashkët lidhur me aktgjykimin dënues në Hagë.

Artisti Ermal Fejzullahu, gazetari i njohur nga Shqipëria, Alban Dudushi, dhe kantautori Korab Shaqiri do t’u drejtohen sonte qytetarëve në natën e 15-të të protestës “Jo në emrin tim”, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Sipas programit të publikuar, pjesë e mbrëmjes do të jetë edhe organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ndërsa betimin e ushtarit do ta sjellë veterani i UÇK-së, Fazli Muharremi.
Protesta mbahet sonte, më 30 shtator, nga ora 21:00, në vazhdën e kundërshtimit të aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesave për veprime konkrete institucionale në mbrojtje të tyre.
Kjo mbrëmje i paraprin protestës së paralajmëruar për nesër, më 1 tetor, në orën 16:00, në të njëjtin shesh.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka bërë thirrje Qeverisë dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla që ta sjellin në Kuvend Projektligjin për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar që deklaratat politike të shoqërohen me veprime konkrete.
“I bëj thirrje Qeverisë dhe Gërvallës që të sjell në Kuvend projektligjin për Dhomat e Specializuara”, ka deklaruar Deliu-Kodra në një konferencë për media.
“Qeveria të mos e zvarrisë dhe të mos e quaj agjendë të temave ditore, sepse një ligj i tillë nuk përbën temë ditore”.
Ajo tha se Kuvendi i Kosovës duhet të angazhohet pa dallime partiake për miratimin e një ligji që, sipas saj, do t’u ndihmonte liderëve të UÇK-së dhe Kosovës.
“Ia kemi borxh vendit që të angazhohemi që ta bëjmë një ligj i cili i ndihmon liderëve të UÇK dhe mbi të gjitha e ndihmon Kosovën”.
Deliu-Kodra përmendi edhe deklaratën e përbashkët të partive politike, e cila, sipas saj, ishte mbështetur me 99 vota në Kuvend dhe e cilësonte dënimin si të padrejtë.
“Si Kuvend pa dallim partish ia kemi borxh të bëjmë gjithë angazhimin tonë, Kuvendi ditë më parë ka ditur të jetë i bashkuar me 99 vota mbështetje një deklarate të përbashkët të partive politike që e cilëson dënimin si të padrejtë.”
Ajo kërkoi që deklaratat e Qeverisë të shndërrohen në veprime konkrete.
“Përtej deklaratave që i dëgjojmë nga eksponentë të Qeverisë na duhen veprime konkrete, ato janë kur ky ligj do të sillet në Kuvend. Nga deklarata të kthehen në veprime dhe qëndrime që ne i shohim”.
Deputetja po ashtu tha se situata aktuale nuk duhet të trajtohet si normale.
“Nuk mund të miratohen 35 ligje dhe të simulohet normalitet sepse Kosova sot nuk është në një situatë normale”.

Kryeministri Albin Kurti evidentoi “defekte kapitale” në punën e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila në shkallë të parë i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte, katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti tha se nuk ka pritur drejtësi.
“Nuk mund të them se kam pritur drejtësi, për shkak se asnjëherë s’e kam ndryshuar qëndrimin tim për këtë gjykatë”, tha ai.
Ai numëroi “tri defekte kapitale”.
“I pari është cilësimi ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’. Nuk ka pasur ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’ dhe kjo duhet do e mos të korrigjohet në Apel. E dyta është që ka munguar transparenca dhe ka pasur në njëfarë mënyre absolutisht veçse gjykatë monoetnike […] Dhe i treti natyrisht, ato pasaktësitë faktike dhe historike të cilat i dëgjyam me datën 16 shtator”, tha ai.
Kurti tha se aktgjykimi i plotë ka “mijëra faqe” dhe se dyshon që dikush nga ekipet mbrojtëse ka arritur ta lexojë në tërësi.
“Por të mos harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe, por vendimi i plotë është mijëra faqe. Ndoshta është lexuar një përqindje njëshifrore e vendimit të përgjithshëm, në rastin më të mirë. Dhe është çështje javësh besoj kur do të dalë verdikti i plotë dhe unë dyshoj që ndokush edhe prej ekipeve të mbrojtjes ka arritur që deri më tash ta lexojë në plotni e me saktësi të gjithë verdiktin, se është shumë voluminoz”, tha ai.
Kurti tha se Kosova duhet t’i mbrojë së bashku me Shqipërinë ish-krerët e UÇK-së.
“E në mbrojtjen që duhet t’ua bëjmë si shtet e si shoqëri, por unë do të thoja edhe si Shqipëri, sepse ju e dini që gjenocidi i Serbisë në Kosovë nuk ka ndodhur pse thjesht jemi të Kosovës, por për shkak që jemi shqiptarë”, tha ai.
“Dhe ju e patë që në vendimin, në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara u përmendën 14 komuna të Kosovës, por u përmendën edhe dy në Shqipëri. Prandaj këtu duhet të jemi bashkë, jo vetëm spektri politik në Kosovë. Bashkë si shtet gjithsesi, bashkë si shoqëri pa dyshim, por edhe bashkë me Shqipërinë. Dhe vetëm në këtë mënyrë, me një strategji të përbashkët shtetërore, me qëllimin e përbashkët fitoren në Apel ne dalim triumfues”, tha Kurti.
Kryeministri tha se “çështja është tejet e rëndësishme, por nuk bën të bëjmë gabime”.
“Nuk na falen më gabimet. Nëse gabon rregullisht, diçka qenësore nuk është në rregull”, tha ai.

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e nesërme në Prishtinë, në mbrojtje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër vendimit dënues ndaj udhëheqësve të UÇK-së.
Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, e cila do të mbahet nesër në ora 16:00, në sheshin e kryeqytetit.
“Vendimi dënues ndaj udhëheqësve të UÇK-së është i papranueshëm dhe i padrejtë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai e ka përmbyllur thirrjen me mesazhin: “Jo në emrin tim, jo në emër të popullit të Kosovës”.
“Duke mbrojtur luftën e drejtë çlirimtare, mbrojmë atdheun”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se institucionet janë duke shqyrtuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kurti tha se aktualisht janë në pritje të opinioneve ligjore dhe financiare nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave lidhur me këtë nismë.
Sipas tij, vlerësimet nga institucionet përkatëse pritet të përfundojnë gjatë kësaj jave.
“Po presim opinionin ligjor nga Ministria e Drejtësisë dhe atë financiar nga Ministria e Financave”, ka thënë Kurti.
Ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara është kërkuar në kuadër të diskutimeve për hapat institucionalë pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti ka thënë se pas marrjes së opinioneve përkatëse do të mund të ketë veprime të mëtejshme institucionale lidhur me këtë çështje.

Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara në Hagë ka vendosur për shtyrjen e afatit për paraqitjen e njoftimit të apelit në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Paneli i Apelit ka miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër Aktgjykimit më 29 shtator 2026.
Paneli miratoi të njëjtën zgjatje afati edhe për ZPS-në dhe caktoi datën 27 nëntor 2026 për dorëzimin e njoftimeve për apel nga ekipet e Mbrojtjes dhe nga ZPS-ja, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të publikuar dje.
“Në një vendim tjetër, Paneli i Apelit miratoi modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave në procesin e apelit, në të cilin vendosi që të zbatohet një praktikë e ngjashme me atë që u zbatua gjatë gjykimit në shkallë të parë, me përshtatjet e nevojshme”, thuhet po ashtu në njoftim.
Paneli përbëhet nga gjyqtarja Michèle Picard, gjyqtari Kai Ambos dhe gjyqtarja Nina Jørgensen.

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, në mbledhjen e komisionit për legjislacion, ka folur për projektligjin për Specialen, duke shtruar pyetjen se pse ky ligj s’po dërgohet në Kuvend nga ministria e Drejtësisë.
Tahiri ka deklaruar se duhet reflektim serioz pas dënimit të ish-krerëve të UÇK’së.
“Një çështje e cila është bukur jetike dhe e cila vjen si rrjedhojë e një vendimi të padrejtë, e një vendimi në masë të madhe e ka kthyer Kosovën në një situatë ku duhet reflektim shumë ma serioz pas vendimit të 16 shtatorit, nuk mund ta tejkalojmë sidomos ne këtu në komision. E konsideroj jetike. Bëj thirrje a bën veç me fol sinqert. Në qoftë se nuk ka vullnet me ardh ligji i cili është sot në Ministrinë e Drejtësisë në Kuvendin e Kosovës me thënë është qëndrim politik. Në qoftë se ka analizë, vlerësim që ky ligj nuk është boll. Të flasim këto 6 ditë veç pak sinqert. Ta dimë pse s’po vjen ligji”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri, drejtuar deputetëve të VV’së, u ka thënë se ‘’a kanë mundësi’’ që ta thërrasin ministren Donika Gërvalla dhe t’i thonë që ta sjell ligjin.
“Ai ligj nuk është analizë. Është shumë i thjeshtë kur e lexon që po flasim për me kriju një filtër. Jo për zhbërje. Se ne e kishim votu edhe zhbërjen, por nuk është zhbërje. Kemi mësuar prej gabimeve që janë bërë në 2015. Nuk kanë lënë bir as zyre pa iu hy me bo presion për me votu këtë ligj, meqë ka pas presion për me ndodh ky ligj, a ka mundësi të kthehemi mbrapa, t’i shohim standardet juridike. A ka mundësi ju që e përfaqësoni Qeverinë, me thirrë ministren Gërvalla, me i thanë a munesh me pru këtë ligj se jemi blloku dhe nuk po mund të ecim përpara”, ka deklaruar deputeti Tahiri.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, e Përparim Gruda, kanë lëshuar mbledhjen e komisionit për Legjislacion si shenjë proteste, meqë nuk është diskutuar projektligji për Specialen.
Deliu, ka thënë se kjo është jo serioze, dhe se nuk këtë situatë nuk mund të ‘simulohet’’ normaliteti, përcjell Gazeta Express.
“Është tërësisht jo serioze që të ftohet komisioni për Legjislacion të trajtojmë sot 6 pika të rendit të ditës, e të mos jetë në shqyrtim ligji për Dhomat e Specializuara. PDK konsideron në këto rrethana nuk ka prioritet më të madh, dhe nuk mund të simulojmë normalitet sot në këtë komision. Ne bashkë me zotin Gruda nuk do të qëndrojmë në mbledhjen e komisionit.”, ka thënë Deliu.
Gruda ka thënë se edhe pikat e tjera të rendit të ditës nuk mund të trajtohen me urgjencë sepse materiali përbëhet nga qindra faqe.
‘’Fillimi duket qartazi nuk duket i mbarë. Kemi marrë një rend dite ku janë 6 ligje, të cilat na kanë ardh dje, asnjë anëtar i komisionit qeto s’ka arrit me i lexu. Këto materiale që përbajnë qindra faqe, e që është jo serioze. Këto materiale nuk mund të trajtohen me kaq urgjencë. Nuk mundemi na me u sjell sikur jemi në kushte normale.’’, ka thënë Gruda.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka bërë të ditur se bashkë me kolegen e tij, Sala Jashari, janë larguar në mënyrë demonstrative pas konstituimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut.
Behrami ka thënë se ky veprim lidhet me situatën pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe ka kritikuar institucionet për, siç është shprehur ai, “simulim të normalitetit”.
“Flamuri i Kosovës dhe i UÇK-së janë në gjysmë shtize. Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës nuk mund të simulojnë normalitet”, ka deklaruar Behrami.
Ai ka kërkuar që ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës të jetë prioritet i institucioneve.
“Nuk ka asnjë temë, asnjë ligj, asnjë vendim, asnjë qëndrim, asnjë kauzë më të rëndësishme sesa ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka shkruar Behrami.

Avokati amerikan Clint Williamson që ka udhëhequr grupin hetimor të ngritur nga Bashkimi Evropian për të hetuar akuzat për krime lufte të bëra në një raport të Këshillit të Evropës nga senatori zviceran Dick Marty,në një intervistë me BIRN, ka deklaruar se autoritetet në Kosovë nuk kishin arritur të zbutnin pritjet e publikut se Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij do të liroheshin nga akuzat.
“Nuk mendoj se autoritetet në Kosovë, ose ata njerëz që po komentojnë për këtë, kanë bërë shumë përpjekje për të krijuar pritjet tek njerëzit se mund të jetë pak më ndryshe nga kjo narrativë e vetme se këta individë do të liroheshin nga akuzat”, tha Williamson.
Në fakt, tha ai, gjetjet paraprake të task forcës së vitit 2014 “përputheshin kryesisht” me vendimin e Dhomave të Posaçme.
“Ne zbuluam se kishte pasur një numër rastesh trajtimi çnjerëzor, torture dhe vrasjesh që ishin drejtuar ndaj pakicave etnike në Kosovë, si dhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë të UÇK-së dhe të të akuzuarve që u dënuan së fundmi”, tha ai.
Williamson ka deklaruar gjithashtu se procesi “nuk ishte i drejtuar kundër UÇK-së”.
“Kjo po shqyrtonte fajin individual të personave që kishin role udhëheqëse në UÇK”, ka potencuar ai për BIRN.
“Siç thashë në vitin 2014, siç gjykata u përpoq shumë ta shpjegonte, kjo nuk ishte një aktakuzë ndaj UÇK-së. Ky nuk ishte një vendim kundër UÇK-së si organizatë. Kjo ishte një gjykatë që u krijua për të shqyrtuar individët që janë në pozicione udhëheqëse, role udhëheqëse.”, ka shtuar ai.

Kryeministri Albin Kurti, në hapjen e mbledhjes së sotme të Qeverisë, ka përmendur takimet e zhvilluara të dielën me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kurti ka thënë se në këto takime është diskutuar për veprimet e përbashkëta lidhur me, siç e ka quajtur ai, “aktgjykimin e rëndë dhe të padrejtë” të Gjykatës Speciale të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka vlerësuar se deklarata e miratuar në Kuvend përbën hapin e parë të përbashkët të partive politike, duke thënë se ajo, më shumë sesa të krijojë efekt juridik, shpreh unitetin e popullit.
“Mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar, ndërsa thërras për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për këtë çështje të interesit shtetëror, duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse sikurse edhe me ekspertë të fushës që të mos gjendemi në situata ku vendimet tona do të mund të përdoreshin si rëndesë ose dëm të katërshes Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi. Si kryeministër i Republikës së Kosovës do të bëjmë gjithfarë që dimë e mundemi, me kolegët nga Qeveria dhe jo vetëm, për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli dhe drejt tij”.
Kurti ka deklaruar gjithashtu se UÇK-ja “lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive, spastrimit etnik e gjenocidit nga Serbia dhe ajo ishte bartëse e listës së drejtë të popullit”.
Deklaratat e Kurtit vijnë pas kritikave të PDK-së ndaj tij për mospërfshirjen në rendin e ditës të mbledhjes së Qeverisë të projektligjit të propozuar nga kjo parti për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi si “të padrejtë juridikisht e moralisht dhe të pasaktë historikisht e faktikisht”, aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti tha në mbledhjen e sotme të Qeverisë se për këtë çështje ka diskutuar me të gjithë ata që i takoi në New York, SHBA, gjatë cizitës disaditore.
“Ishte vizitë e dendur, përplot takime me liderë e zyrtarë të lartë shtetesh mike të vendit tonë, sikurse edhe me drejtues të institucioneve ndërkombëtare, por natyrisht edhe me mërgatën tonë të çmuar në New York. Ngritëm një sërë temash e diskutimesh, përfshirë aktgjykimin e padrejtë në Hagë, të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët për herë të parë ishin pjesë e delegacionit shtetëror të Kosovës, sikurse biseduam edhe për ekonomi e për zhvillim, për siguri e për mbrojtje, e për të ardhmen tonë euro-atlantike”, tha ai.
Kurti tha se shqetësimin e tij e shprehu në “secilin takim”.
“Në secilin takim në New York, unë shpreha shqetësimin e thellë për aktjgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, i cili është i padrejtë juridikisht e moralisht dhe i pasaktë historikisht e faktikisht”, tha ai.
Kurti tha se “është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë e pretenduar, nga ajo që është provuar dhe vendosur nga Gjykata”.
“Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në Apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, tha ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës për kushtëzimin e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit me miratimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara.
Ajo ka thënë se zgjedhja e presidentit është një çështje me rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit dhe ka vlerësuar se PDK-ja, e cila sipas saj ka kontribuar në themelimin e Gjykatës Speciale, nuk duhet të vendosë kushte të tilla.
Kryeziu-Hyseni ka bërë thirrje që partitë politike t’i lënë anash, siç i ka quajtur ajo, interesat personale dhe të bashkëpunojnë për zgjedhjen e presidentit.
“Po besoj që kushtëzimet e tilla më së miri e shpërfaqin interesin e vërtetë të partive politike, sepse një parti politike si PDK, e cila ka kontribuar në krijimin e Gjykatës Speciale specifikisht, mendoj që nuk e ka aspak luksin të vërë kushtëzime të tilla dhe ky kushtëzim na tregon që nuk është që e kanë ndoshta me të vërtetë shumë të rëndësishme çështjen e ligjit, sepse nuk mund të kushtëzosh duke thënë votoje ligjin e po pastaj ndalemi edhe bisedojmë për çështjen e presidentit. Çështja e presidentit është shumë e rëndësishme, për shumë arsye, sidomos për mënyrën se si ka me ec tutje Kosova përpara. Kështu që duhet me i lënë anash këto interesat personale, fatkeqësisht po është e pamundur siç po shihet prej këtyre partive politike, edhe prej deklaratave të këtyre deputetëve të këtyre partive që po i kanë individuale, pra gjithçka po e lidhin politikisht, gjithçka po e lidhin me interesin e vet personal, edhe prandaj po kushtëzojnë. Edhe po mendoj që PDK më së paku e ka luksin me bë kushtëzime të tilla”, tha ajo
Kryeziu-Hyseni ka paralajmëruar se nëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
“Çështja e presidentit është shumë e rëndësishme. Nëse ka interes për një marrëveshje prej partive politike, duhet të tejkalohet maksimumi deri më datën 6 tetor. Përndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje, e do të shkojmë në zgjedhje pikërisht për shkak të mosvullnetit të këtyre partive politike me bashkëpunu që ne me e zgjedh presidentin në Kuvend”, tha ajo.

Duke folur për drejtësinë dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se drejtësia është pritur për 26 vjet.
“Drejtësia që 26 vjet jemi duke e pritur… gjithë populli ynë, gjithë vendi ynë. Por nuk kemi besuar që drejtësia vjen në formën e padrejtësive”, ka deklaruar Haziri për RTK.
Ai ka thënë se Kosova ka provuar të vendosë drejtësi përmes administratës së OKB-së, EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës.
“Është provuar me vendosë drejtësi përmes administratës së OKB-së, me institucionet e përkohshme në atë kohë të Kosovës, më vonë në gjendjen e pas deklarimit të pavarësisë është menduar përmes EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës me vendosë, nuk është arritur. Përfundimisht Kosova i ka themeluar Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.
Haziri ka thënë se populli i Kosovës ka të drejtë të shprehë pakënaqësi.
“Mendoj që i jep të drejtë popullit të Kosovës me shpreh pakënaqësi, por mos harroni se aktakuzën apo akuzën e ka ngritur prokuroria në emër të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka thënë se Kosova nuk ka pasur mundësi ta zgjedhë mënyrën se si do të vendosej drejtësia pas luftës.
“Nuk është edhe nuk ka qenë e mundur që Kosova me zgjedhë mënyrën se si ka me vendosë drejtësi pas luftës në Kosovë. Nuk guxojmë me lejuar humbjen e empatisë për viktimat”, ka shtuar ai.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën e caktimit të paneleve gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Qelaj ka thënë se caktimi i panelit me vendim autonom të kryetares, pa kontroll apo kritere të përcaktuara, ngre pikëpyetje për garantimin e pavarësisë së procesit.
“Caktimi i panelit ngre një shqetësim në këtë fazë. Paneli caktohet me vendim autonom të kryetares, pa iu nënshtruar asnjë kontrolli apo kriteri që e bën të besueshëm dhe garanton se nuk ka ndikime apo ndërhyrje”, ka deklaruar Qelaj.
Ai ka theksuar se këtë shqetësim e ka ngritur edhe më herët, ndërsa sipas tij, një çështje e tillë është evidentuar edhe në një raport të palës britanike.
Qelaj ka ngritur shqetësime edhe për rolin e kryetares së Dhomave të Specializuara, duke thënë se ajo ka qenë pjesë e takimeve ku është diskutuar për dënimin e të dyshuarve para nisjes së procedurave gjyqësore.
“Edhe më shqetësuese e bën faktin që kryetarja është protagoniste e takimeve ku flitet për dënimin e të dyshuarve, akoma pa nisur procedura, duke aluduar në dënime të përjetshme”, ka thënë ai.
Në fund, Avokati i Popullit ka bërë thirrje që Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian të reagojnë lidhur me këto shqetësime.
“Prandaj, është koha që vetë Këshilli i Evropës dhe BE-ja të reagojnë. Përndryshe, kjo çështje po rrëshqet nga respektimi i standardeve minimale dhe po shndërrohet në një proces që as përafërsisht nuk garanton respektimin e të drejtave themelore, e aq më pak një proces të drejtë gjyqësor”, ka deklaruar Qelaj.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vijuar komentet në drejtim të ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili gjatë ditës ka deklaruar se “dënimet në Hagë kanë të bëjnë me krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme, s’e gjykojnë shtetësinë e Kosovës”.
Ajo ka marrë një shembull se si ishte raportuar se “një muaj para se të kërkohej fletarrestimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kryediplomati britanik David Cameron e kishte telefonuar kryeprokurorin Karim Khan dhe, sipas pretendimeve të këtij të fundit, i kishte bërë presion që Gjykata Penale Ndërkombëtare të mos e ndërmerrte atë hap”.
Ajo thotë se “ambasadori Jonathan Hargreaves nuk ka reaguar publikisht për këtë rast”.
Prandaj, sipas saj, “kjo heshtje është e vështirë të mos shihet si standard i dyfishtë dhe si hipokrizi: në Kosovë flitet vazhdimisht për pavarësinë e drejtësisë dhe mosndërhyrjen në çështjet gjyqësore, ndërsa përballë një rasti që prek drejtpërdrejt Britaninë e Madhe, heshtja duket se është zgjedhja e ambasadorit”.
Reagimi i saj i plotë:
Hipokrizia e “drejtësisë së pavarur” dhe heshtja e ambasadorit britanik
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në vazhdimësi u ka dhënë mbështetje Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke e vënë theksin te fjalia: “Ne nuk përzihemi në çështjet gjyqësore, ne besojmë në drejtësinë e pavarur.”
Një muaj para se të kërkohej fletarrestimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kryediplomati britanik David Cameron e kishte telefonuar kryeprokurorin Karim Khan dhe, sipas pretendimeve të këtij të fundit, i kishte bërë presion që Gjykata Penale Ndërkombëtare të mos e ndërmerrte atë hap.
Mediat kanë raportuar për këtë telefonatë, e cila është cilësuar skandaloze dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë.
Më 16 janar 2026, Qeveria britanike konfirmoi për herë të parë se ishte zhvilluar një telefonatë mes David Cameronit dhe Karim Khanit. Sipas pretendimeve të Khanit, gjatë saj ish-sekretari i Jashtëm e kishte kërcënuar lidhur me hetimin për krimet e luftës në Gaza.
Khan e ka konfirmuar telefonatën dhe ka deklaruar se Cameroni e kishte kërcënuar me ndërprerjen e fondeve dhe me tërheqjen e Britanisë së Madhe nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Ambasadori Jonathan Hargreaves nuk ka reaguar publikisht për këtë rast.
Kjo heshtje është e vështirë të mos shihet si standard i dyfishtë dhe si hipokrizi: në Kosovë flitet vazhdimisht për pavarësinë e drejtësisë dhe mosndërhyrjen në çështjet gjyqësore, ndërsa përballë një rasti që prek drejtpërdrejt Britaninë e Madhe, heshtja duket se është zgjedhja e ambasadorit.
Nëse drejtësia duhet të jetë e pavarur, e që pajtohem se duhet të jetë, atëherë duhet të jetë e pandikuar dhe e pavarur për të gjithë. Edhe kur bëhet fjalë për ju, zoti ambasador!

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka njoftuar se kryesia e partisë do të mblidhet nesër në mëngjes, pasi Qeveria e Kosovës nuk e ka proceduar projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Deliu-Kodra e ka cilësuar këtë veprim si “të paprecedentë”, duke thënë se ai shpërfill situatën politike dhe protestat e qytetarëve.
“Është fyerje me nevojën emergjente që sot e ka Kosova, është shpërfillje ndaj situatës politike që e kemi, është shpërfillje ndaj mijëra protestuesve të cilët protestojnë tash e 14 net në kryeqytetin e Kosovës”, tha ajo të DPT te Fidani.
Ajo bëri të ditur se mbledhja e PDK-së do të mbahet në orët e hershme të mëngjesit.
Ajo theksoi se iniciativa ligjore e PDK-së është përcjellë zyrtarisht nga Kuvendi në Qeveri që nga data 23, duke vënë në dukje se Ministria e Drejtësisë e ka pasur të gjithë hapësirën e nevojshme për ta proceduar me urgjencë.

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës që ta procedojnë në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në natën e 14-të të protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Haziri tha se deklarata e miratuar një ditë më parë nga 99 deputetë nuk i përmbush kërkesat e protestuesve nëse ajo nuk pasohet me veprime konkrete ligjore.
Kuvendi i Kosovës të hënën e miratoi me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Deklarata, megjithatë, nuk prodhon efekte juridike të detyrueshme.
Duke iu drejtuar protestuesve, Haziri i falënderoi qytetarët që, siç tha ai, edhe pas dy javësh vazhdojnë të mblidhen çdo mbrëmje.
“E di që pas një dite të gjatë, me hallet e punës, me fëmijët, me përditshmërinë dhe barrën që e ka secili prej nesh, më e lehta do të ishte të rrinim në shtëpi. Por ja ku jemi! Prapë bashkë. Prapë këtu”, tha Haziri.
Sipas tij, vazhdimi i protestës tregon se qytetarët nuk janë lodhur, por se po u soset durimi në pritje të veprimeve institucionale.
“Vetëm shikojeni njëri-tjetrin në sy: këtu nuk ka plogështi! Në këtë shesh ka vetëm një gjë që po zien çdo ditë e më shumë: këtu po soset durimi! Nuk po rritet lodhja, por po soset durimi”, u shpreh ai.
Haziri foli edhe për deklaratën e miratuar nga Kuvendi, duke thënë se pas votimit të saj përgjegjësia, sipas tij, nuk mund të zhvendoset më nga një institucion te tjetri.
“Deri dje luanin ping-pong me përgjegjësinë shtetërore. Na shisnin mjegull e na thoshin: ‘Prisni Kuvendin, se pa folur Kuvendi nuk mund të bëjmë asgjë’. Epo Kuvendi e bëri lëvizjen e vet. 99 deputetë të të gjitha partive e votuan atë deklaratën e famshme”, deklaroi Haziri.
Ai e cilësoi të pamjaftueshme deklaratën nëse nuk pasohet nga ndryshimet ligjore që po kërkojnë protestuesit.
“Janë fjalë të radhitura bukur në një letër sa për të thënë: ‘Ja, ne e bëmë tonën, lajini duart’. Zero pasoja juridike. Zero! Kjo deklaratë, pa ligjin prapa saj, është fiks me na ushqy me lugë të thatë”, tha ai.
“Kosova nuk është kullë e ndërtuar me letra. Kosova është kullë e mundit, djersës, sakrificës e gjakut. Kulla mbahet me vepra, e shteti mbahet me ligje! Jo me deklarata”, shtoi Haziri.
Organizatori i protestës kërkoi nga deputetët që mbështetjen e shprehur përmes deklaratës ta dëshmojnë edhe në rast se projektligji arrin në Kuvend për votim.
“Nëse dje 99 duar u ngritën aq kollaj për një letër që askujt nuk ia prish terezinë, sa nga ato duar do të ngrihen kur ligji të vijë në rend të ditës? A do t’u dridhet dora atëherë, apo do të fshihen nën tavolinë?”, pyeti ai.
Haziri më pas tha se vëmendja e protestuesve është përqendruar te Qeveria dhe procedimi i projektligjit.
Ai theksoi se organizatorët ende nuk po e akuzojnë ekzekutivin për bllokimin e tij, por se janë në pritje të veprimeve.
“Ne nuk po dalim sonte të bërtasim e të themi se e keni bllokuar e që nuk po doni ta votoni. Kjo mbetet të shihet. Ne po presim. Nuk kemi dhënë verdikt. Jemi duke ju matë”, u shpreh Haziri.
Më pas ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Kurti, duke kërkuar procedimin e projektligjit.
“Kryeministër, në atë tavolinë ti nuk e ke thjesht një projektligj! Nuk është udhëzim i rëndomtë administrativ. Nuk është rregullore e zakonshme. Atë që keni mbi tavolinë është dinjiteti i këtij shteti!”, tha Haziri.
Protestat “Jo në emrin tim” po zhvillohen në Prishtinë që nga 16 shtatori, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Për 1 tetor është paralajmëruar një protestë më e madhe në kryeqytet.
Haziri tha se protestuesit nuk do të tërhiqen dhe paralajmëroi pjesëmarrje të madhe më 1 tetor.
“Ne kemi trokitur me fjalë. Kemi pritur me durim. Por durimi, vëllezër dhe motra, ka arritur në kufi! Nëse mendoni se kjo revoltë mbyllet me një deklaratë fasadë, mbajeni mend mirë: Më 1 tetor, do ta kuptoni se çfarë force mban ky shesh!”, tha ai.
“Më 1 tetor, zëri ynë nuk do të jetë më pritje — do të jetë lum njerëzish, një vërshim i vërtetë, një uragan i pandalshëm i këtij populli! Zgjidhja është në tavolinën tuaj. Veproni sa nuk është vonë!”, përfundoi Haziri.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë tashmë “Qytetarë Nderi” të Tiranës, pas miratimit të vendimit nga Këshilli Bashkiak i kryeqytetit.
Nisma, e propozuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, është ndërmarrë në shenjë nderimi për rolin dhe kontributin e tyre në historinë e Kosovës dhe veçanërisht në periudhën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në arsyetimin e nismës vlerësohet kontributi i katër figurave në rrugëtimin politik dhe historik të Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
Propozimi i Veliajt u bë në një periudhë të ndjeshme, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së. Nisma mori mbështetje unanime në procedurat e Bashkisë së Tiranës dhe më pas u votua nga Këshilli Bashkiak.
Me këtë vendim, Tirana u jep titullin “Qytetar Nderi” katër prej figurave të njohura të historisë së UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Vendimi vjen ndërsa katër ish-drejtuesit vazhdojnë të jenë në paraburgim në Hagë, në kuadër të procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.


Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Çitaku ka kundërshtuar deklaratën se dënimet në Hagë kanë të bëjnë me “krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme”, duke argumentuar se çështja, sipas saj, është më e gjerë.
Ajo ka thënë se në proceset gjyqësore në Hagë është trajtuar edhe pretendimi për ekzistimin e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, duke e cilësuar këtë si thelbin dhe peshën e vendimit.
“Qartazi, Ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktvendimin e Gjykatës”, ka shkruar Çitaku.
“Sepse këtu nuk bëhet fjalë për dënime për vepra individuale. UÇK është cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ky është thelbi. Kjo është pesha e këtij vendimi. Dhe këtë nuk mund ta mbuloni me një fjali diplomatike”, ka shkruar tutje ajo.
Hargreaves: Dënimet nga Haga janë individuale, në asnjë mënyrë s’e gjykojnë shtetësinë e Kosovës
Çitaku ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas saj, mund të interpretohet dhe trajtohet ky vendim në diskursin politik.
“Mos na qitni hi syve. Ju mundeni me e pranu këtë vendim. Mundeni me e relativizu. Mundeni me e reduktu në katër emra dhe me vazhdu tutje, sikur asgjë nuk ka ndodhur”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka theksuar se nuk do ta pranojë që lufta e UÇK-së të përshkruhet në terma që, sipas saj, e barazojnë atë me kriminalitetin.
“Po ne jo. Ne nuk kemi me heshtë derisa lufta jonë për liri të përshkruhet me gjuhën e kriminalitetit. Nuk kemi me e pranu që historia jonë të rishkruhet për komoditetin politik të askujt. Jo. Jo në emrin tim”, ka thënë Çitaku.

Ish-kryerprokurori i Dhomave të Specializaura të Hagës, Jack Smith, po vazhdon të dëshmojë sot përpara Kongresit amerikan. Smith po merret në pyetje nga kongresitët republikan për ndjekjen që Smith ia kishte bërë presidentit amerikan, Donald Trump, meqë ata konsiderojnë se Smith ka abuzuar me detyrën.
Në një moment përgjatë marrjes në pyetje, kongresmeni Eric Schmitt e pyet Smithin nëse ka pasur raste në karrierën e tij që i ka humbur.
Ish-Kryeprokurori i Hagës në përgjigjen e tij në seancën dëgjimore e pranon që ka humbur raste në karrierën e tij.
Pas kësaj, ndërhyn kongresmeni amerikan Schmitt duke e pyetur për punën e tij në Hagë dhe ndjekjen që ia kishte bërë ish-presidentit kosovar, Hashim Thaçi.
Smith thotë se për këtë rast, Hashim Thaçi sapo është dënuar për 300 viktima të torturës dhe 96 vrasje të paligjshme.
“Pasi i humbët të gjitha këto raste të nivelit të lartë, ju shkuat në Hagë për ta ndjekur presidentin e Kosovës në vitin 2020”, pyet Schmitt.
“Po, dhe ai është dënuar për mbi 300 raste të torturës dhe 96 vrasje”, përgjigjet Smith.
I pyetur nëse ky ishte një shans që e shfrytëzoi për t’iu kthyer Trumpit, Smith e mohon një gjë të tillë.
Sen. Schmitt: “You fled to The Hague and prosecuted the president of Kosovo in 2020?”
Smith: “Yes, and he was just convicted of over 300 acts of torture and 96 murders.”
Sen. Schmitt: “And then you got a chance to come back to get Trump. Is that right?”
Smith: “That’s not right at all.”
— Bulwark Clips (@BulwarkClips) September 29, 2026

Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, ka kujtuar hyrjen në Kosovë të trupave britanike, duke thënë se politikat katastrofike të Slobodan Millosheviqit çuan në krime lufte dhe represion të dokumentuar gjerësisht në Kosovë.
Ambasadori, ka shtuar edhe se, Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin e saj në Kosovë në vitin 1999 dhe që atëherë, shton ai, ajo mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për drejtësinë ndërkombëtare, përgjegjshmërinë dhe respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
‘’ Kosova mori vendimin e vështirë për të themeluar dhe mbështetur Dhomat e Specializuara, duke e ditur se ato mund të hetonin disa nga figurat më të njohura të organizatave që ishin në qendër të luftës së saj për çlirim. Kosova mund të jetë krenare për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të mbështetur parimin se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Ky është një shembull i rëndësishëm për të gjithë rajonin’’, ka shkruar mes tjerash Hargreaves.
Ambasadori shton edhe se, dënimi i ish-krerëve të UÇK’së ‘’kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme’’, dhe se, ‘ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë, sovranitetit apo të drejtës së Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë me vendosmëri. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimet e tyre’’.,
Postimi:
Në qershor të vitit 1999, trupat britanike kaluan kufirin këtu, në Han të Elezit, si pjesë e misionit të NATO-s, të autorizuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndaluar spastrimin etnik dhe dhunën ndaj popullsisë civile në Kosovë. Politikat katastrofike të Slobodan Millosheviqit çuan në krime lufte dhe represion të dokumentuar gjerësisht në Kosovë. Qindra mijëra shqiptarë etnikë u detyruan të largoheshin nga Kosova ose u zhvendosën brenda vendit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përfshirë Rusinë, shprehu vazhdimisht shqetësimin e tij të thellë për situatën e rëndë humanitare. Millosheviqi refuzoi të gjitha përpjekjet për paqe, duke çuar në fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin e saj në Kosovë në vitin 1999 dhe që atëherë. Ajo mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për drejtësinë ndërkombëtare, përgjegjshmërinë dhe respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Kosova mori vendimin e vështirë për të themeluar dhe mbështetur Dhomat e Specializuara, duke e ditur se ato mund të hetonin disa nga figurat më të njohura të organizatave që ishin në qendër të luftës së saj për çlirim. Kosova mund të jetë krenare për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të mbështetur parimin se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Ky është një shembull i rëndësishëm për të gjithë rajonin.
Dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme. Ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë, sovranitetit apo të drejtës së Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë me vendosmëri. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimet e tyre.
Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj së vërtetës për Ballkanin Perëndimor dhe pajtimit të qëndrueshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët në të gjithë rajonin dhe në nivel ndërkombëtar, në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të begatë për të gjitha komunitetet.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës edhe për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Berisha ka thënë se, pas dënimeve të ish-drejtuesve të UÇK-së, dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar çdo ditë në Prishtinë.
Ai ka deklaruar se askush nuk është kundër ndëshkimit të krimeve, por sipas tij, krahasimet e bëra dhe mungesa e provave të qarta për krime konkrete kanë shkaktuar zemërim publik.
“Gjatë këtyre ditëve të fundit, pas dënimeve të papritura të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga gjykata e Kosovës në Hagë, dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar çdo ditë në Prishtinë. Askush nuk ngrihet kundër ndëshkimit të krimeve, por disa krahasime dhe mungesa e provave të qarta për krime konkrete kanë shkaktuar zemërim publik”, ka thënë Berisha.
Duke bërë një krahasim me dënimet e dhëna nga Tribunali i OKB-së në Hagë, Berisha ka përmendur ish-komandantin e Korpusit të Prishtinës, Vladimir Lazareviç, dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Dragoljub Ojdaniç.
“Për shembull, Tribunali i OKB-së në Hagë dënoi komandantin e Korpusit të Prishtinës, z. Vladimir LAZAREVIÇ, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, z. Dragoljub OJDANIÇ, me nga 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë Operacionit “Patkoi” në Prishtinë.”
Berisha ka kritikuar edhe bazën mbi të cilën, sipas tij, janë dënuar ish-drejtuesit politikë të Kosovës.
“Në të kundërt, drejtuesit politikë të Kosovës u dënuan me një total prej 84 vitesh burg, bazuar në një zinxhir komandimi që ata nuk e kanë pasur kurrë në mënyrë të strukturuar.”
Ai ka pretenduar gjithashtu se dënimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara kanë ndjekur “linja të qarta etnike”, duke kërkuar që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë rastet në mënyrë, siç tha ai, më objektive.
“Së fundmi, dënimet e dhëna nga gjykata e Kosovës në Hagë kanë ndjekur, në mënyrë befasuese, linja të qarta etnike. Në kundërshtim me statutin e saj, gjykata ka ndjekur penalisht vetëm palën e viktimës dhe jo agresorin. Prandaj, le të shpresojmë që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë çështjet e tyre në mënyrë më objektive.”
Berisha ka folur edhe për Srebrenicën dhe Serbinë, duke kritikuar qëndrimet e Beogradit dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Varrimi me nderime shtetërore i kasapit të Bosnjës, orkestruesit të gjenocidit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore në Srebrenicë, ishte një ekzekutim i dytë, 31 vjet më vonë, i 8500 djemve dhe burrave, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre fetare dhe etnike.”
“Kjo është një fyerje e rëndë për të gjithë njerëzimin, një qëndrim i Beogradit dhe i z. Aleksandar VUÇIÇ, i cili kërkon të fitojë zgjedhjet me fantazmën e z. Ratko MLLADIÇ.”
Në fund, Berisha ka kërkuar që Këshilli i Evropës të ndërmarrë veprime lidhur me këto çështje.
“Besoj se ky institucion duhet të ndërmarrë veprime të qarta kundër këtyre rreziqeve.”