×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Reagim

    Kurti: Përpjekja e Hagës për t’i shkëputur veprimet individuale nga konteksti historik rrezikon ta deformojë të vërtetën e luftës

    Reporteri
    09 Shkurt 2026 | 21:48

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dalë me reagim pas kërkesës së sotme të Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se kjo kërkesë nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit.

    Sipas tij, ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë, duke shtuar se çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte, shkruan Reporteri.net.

    “UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror. Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte. Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar “çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”.

    “Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste”, ka shkruar Kurti.

    Prokuroria e Hagës ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

    “ZPS-ja kërkon vendim dënimin e personave konkret, jo për shtabin e përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon dënim për të gjithë pikat e aktakuzës, prej 45 vitesh, mbështetur në kontributet individuale, të kryera prej secilit prej personave. Këto krime janë lufte, krime kundër njerëzimit, e janë të rënda në natyrë, e këto akuza, nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës. Mbeten shumë të rënda”, ka deklaruar kryeprokurorja Kimberly West, në fjalën përfundimtare./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!