Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, me rastin e nisjes së detyrës së tij të re.

Kurti ka thënë se ambasadorit Schuebel i ka uruar mirëseardhje në Kosovë dhe i ka ofruar bashkëpunim të ngushtë. Ai ka bërë të ditur se e ka falënderuar ambasadorin për urimin për mandatin dhe Qeverinë e re.

Sipas Kurtit, Kosova është e përcaktuar dhe po punon me përkushtim për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përmes një procesi të bazuar në merita.

Reklamë

“Jemi plotësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe ndajmë të njëjtin vizion dhe vlera demokratike”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se krahas zhvillimit ekonomik, rritjes së investimeve, përmirësimit të mirëqenies, forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit, Kosova po angazhohet edhe për avancimin e procesit të integrimit evropian.

Kurti ka vënë theks të veçantë te rëndësia e stabilitetit institucional për zbatimin e Agjendës së Reformave.

“Stabiliteti institucional është tejet i rëndësishëm në funksion të Agjendës së Reformave, të cilat janë të natyrës ligjore dhe kërkojnë Kuvend funksional”, ka deklaruar Kurti.

Reklamë