Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar themelimin e një Grupi Punues për bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas Kurtit, grupi do të kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë, Glauk Konjufca, dhe do të përfshijë përfaqësues institucionalë e parlamentarë.
Kurti ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i padrejtë juridikisht dhe moralisht, si dhe përmban pasaktësi faktike e historike, prandaj, sipas tij, duhet të korrigjohet në shkallën e apelit.
Ai ka theksuar se për këtë nevojitet një strategji shtetërore dhe kombëtare, e cila i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët.
“Për këtë arsye, sot po themelojmë Grupin Punues, të kryesuar nga Zëvendëskryeministri i Parë, Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të apelit”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka thënë se me këtë vendim po konkretizohet zotimi për angazhim, përmes mjeteve në dispozicion, në funksion të drejtësisë dhe mbrojtjes së së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës./Reporteri.net/