Kryeministri Albin Kurti, ka bërë një zotim publik se Projektligji për Dhomat e Specializuara do të votohet në lexim të dytë të enjten, nëse sonte zgjidhet presidenti i ri i Kosovës.
Kurti tha se zgjedhja e presidentit është emergjente, ndërsa ligji është urgjencë dhe mund të votohet më vonë, duke respektuar afatin prej 72 orësh të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit.
“Presidenti duhet të zgjidhet sot. Ndërsa ligjin mund ta votojmë më pastaj, duke respektuar edhe afatin 72-orësh”, tha Kurti.
Ai u zotua publikisht se, pas përfundimit të afatit të përcaktuar me Rregullore, Projektligji për Dhomat e Specializuara do të kalojë në lexim të dytë.
“Le ta zgjedhim presidentin sonte dhe unë publikisht zotohem para jush që në paraditën e së enjtes kalon leximi i dytë i projektligjit për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Kurti.
Sipas Kurtit, respektimi i afatit 72-orësh është i domosdoshëm, ndërsa ai iu referua edhe një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurat e përshpejtuara dhe urgjente për shqyrtimin e projektligjeve.
Kurti theksoi se zgjedhja e presidentit sonte do t’i hapte rrugë vazhdimit të procedurës për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe shmangies së një situate që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.