Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten, më 19 nëntor, duke filluar nga ora 11:00.

Në mesin e pikave të rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe vendimin e Qeverisë për masat e emergjencës për furnizimin me energji, si dhe Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë dhe atë për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Reklamë

Në rend dite janë gjithsej 12 pika, përfshirë emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe rekomandimin për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Po ashtu, pritet të shqyrtohet propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.