Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, në orën 15:00, një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar vrasjen e gruas në Vitomiricë të Pejës dhe përgjegjësinë institucionale për këtë rast.
Thirrja e seancës së jashtëzakonshme u bë e ditur sot në komisionin për legjislacion.
I dyshuari për vrasjen e gruas nga Peja është kunati i saj, i cili, ndodhet ende në arrati.
Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë, ndërsa dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.
Rasti ka marrë vëmendje të veçantë pasi është bërë e ditur se vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, tashmë e ndjera u ishte drejtuar institucioneve për të paralajmëruar për rrezikun me të cilin po përballej.
Në të njëjtën datë, ajo kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Dokumenti, i cili mban vulën e pranimit të datës 22 tetor, dëshmon se tashmë e ndjera kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe kishte paralajmëruar se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të ndodhte një tragjedi.