Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula ia ka dërguar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendimin për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me qëllim që ai t’u shpërndahet deputetëve.

Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruara vendimin e saj, të datës 22 tetor, ndërsa në Kuvend ka arritur sot më datën 26,  ku Shiroka Pula ka thënë se ligji duhet të rishqyrtohet, veçanërisht dispozitat që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

Në arsyetimin e vendimit, presidentja nuk ka propozuar ndonjë amandament, por ka bërë të ditur se më 22 tetor ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë që ta rishqyrtojë atë, shkruan Reporteri.net.

Reklamë

Ajo tutuje ka përmendur sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke thënë se fillimisht kishte shprehur gatishmërinë për shpalljen e ligjit, në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese.

Presidentja  ka theksuar se ka marrë parasysh edhe Deklaratën e Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit 2026 për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Duke pasur parasysh sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pas pranimit të Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (në tekstin e mëtejmë: Ligji), kam shprehur gatishmërinë për shpalljen e tij, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Reklamë

Shiroka Pula ka thënë se e mbështet qëndrimin e shprehur në deklaratën e Kuvendit kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe vënien në dyshim të karakterit çlirimtar të luftës.

Ajo ka kundërshtuar gjithashtu barazimin e popullit që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.

Presidentja ka bërë të ditur se ka zhvilluar dhe po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të UÇK-së.

Sipas saj, këto angazhime përfshijnë edhe mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Reklamë

Në vendim, ajo ka theksuar se rishqyrtimi duhet të përqendrohet veçanërisht në dispozitat që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me të drejtat kushtetuese të personave që po gjykohen në këtë institucion.

“Duke marrë parasysh sa më sipër, Ligji nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar kthehet për rishqyrtim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përfundim të vendimit të presidentes.

Ligji ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor 2026 dhe ishte pranuar nga Zyra e Presidentes më 15 tetor 2026. Vendimi për kthimin e tij në rishqyrtim i është dërguar Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Reklamë