Kuvendi i Kosovës ka themeluar me 90 vota për Komisionin Hetimor Parlamentar që do të hetojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë dhe do të ketë mandat deri në gjashtë muaj. Kryetar i tij është zgjedhur Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa zëvendëskryetar Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Nga LVV-ja, pjesë e komisionit do të jenë edhe Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të përfaqësohet nga Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nga Doarsa Kica-Xhelili.
Në komision do të jenë edhe Jovana Radosavljeviqi dhe Emilija Rexhepi, si përfaqësuese të komuniteteve.
Ismaili kërkon zgjerimin e objektit të hetimit
Para votimit për themelimin e komisionit, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kërkuar që në objektin e hetimit të përfshihen edhe Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera relevante.
“Mendoj se dy-tri institucione duhet të shtohen. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera qeveritare që janë relevante në angazhimin tonë si komision”, ka deklaruar Ismaili.
Gërvalla: Do të jem në dispozicion të komisionit
Mbështetje për themelimin e komisionit ka shprehur edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me deputetët për zbardhjen e fakteve.
“Themelimi i këtij komisioni është një veprim i cili mbështetet fuqishëm nga ana ime si koordinatore dhe nga zyra që e udhëheq. Absolutisht nuk dua që të ketë dilemë asnjë deputet, jo vetëm për gatishmërinë, por këtë e kam theksuar edhe në fjalën time se do të jem plotësisht në disponimin tuaj për të dhënë përgjigjet e kërkuara dhe për të ndihmuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që i posedoj”, ka thënë Gërvalla.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa për vrasjen e saj dyshohet ish-kunati, Albert Sylaj.
Vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, Zekaj u kishte dërguar një shkresë institucioneve përgjegjëse, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente.
Rasti ka nxitur reagime të shumta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, ndërsa komisioni parlamentar pritet të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve, si dhe mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës në familje.