×
  • Lajme
  • Lajme

    Lajçak nesër në Prishtinë, takohet me Kryeministrin Kurti

    Reporteri
    05 Dhjetor 2022 | 17:58

    Pas vizitës në Beograd, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak nesër do të vijë edhe në Prishtinë.

    Burime të Gazetës Online Reporteri.net brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se Lajçak do të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Kjo vizitë vjen në dritë të zhvillimeve të fundit ku palët dialoguese pranuan propozim-kompromisin për targat nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

    Javën e kaluar, Lajçak tha se gjatë vizitës së tij në Beograd dhe Prishtinë, do të diskutohet se si do të respektohet marrëveshja për targa, si dhe hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve sipas planit franko-gjerman.

    Lajçak gjithashtu ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e planit franko-gjerman, derisa Serbia thotë që një herë ajo duhet të zbatohet për të kaluar në planin franko-gjerman.

    Pas takimit me Vuçiqin sot në Beograd, ky i fundit tha se zbatimi i Asociacionit është i domosdoshëm.

    “Me Miroslav Lajçak biseduam ngjarjet e fundit në Kosovë dhe problemet me të cilat ballafaqohet serbët për shkak të veprimeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës. I theksova domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe respektimin e të drejtave të popullit tonë. Serbia është e përkushtuar për të vazhduar konstruktivisht dialogun, me qëllim të mirëmbajtjes së paqes dhe stabilitetit si dhe arritjen e kushteve më të mira për jetesën e të gjithë qytetarëve”, ka përfunduar Aleksandar Vuçiq.

    Ditë më parë edhe zv.ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha se “Asociacioni jo vetëm që duhet të bëhet, por edhe do të bëhet”, ndërsa ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, u shpreh se “Kryeministri Kurti e kupton që Asociacioni duhet të jetë prioritet absolut i tij”.

    Në anën tjetër, amasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha se pa u zgjidhur Asociacioni s’ka marrëveshje tjera.

    “Asociacioni është detyrë e vështirë për Kosovën, por falë punës së madhe të Bashkimit Evropian, Albin Kurti e ka kuptuar që çështja e të ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut dhe duhet të zgjidhet në secilin proces normalizimi”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!