×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK e VV reagojnë pas emërimit të Ngadhnjim Kastratit për drejtor të RTK-së

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 18:01

    Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar lidhur me vendimin e publikuar sot nga RTK për përzgjedhjen e kandidatit për drejtor Ngadhnjim Kastrati, dhe për këtë ka paralajmëruar se do të thërrasë në raportim bordin përkatës të RTK-së.

    Në një konferencë për media, deputeti i LDK-s, njëherësh anëtar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Arban Abrashi ka shprehur shqetësimet e subjektit të tij lidhur me përzgjedhjen e Kastratit në krye të RTK-së.

    “Kemi parë reagimet edhe nga subjektet e tjera. Grupet e ekspertëve të LDK-së kanë shprehur shqetësimet te ne lidhur me ligjshmërinë e procesit të përzgjedhjes së drejtorit të RTK-së. Normal që nuk dëshirojmë të ndërhyjmë në punën e institucioneve të pavarura, por ajo çka mund të themi është se ne do të kërkojmë nga komisioni përkatës që të thërrasë bordin përkatës në mënyrë që të raportojë për mënyrën e përzgjedhjes, për procedurat e ndjekura për drejtor të RTK-s”, tha ai.

    Ai tha se Bordi i RTK-së duhet të raportojë para Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, e më pas si subjekt politik do të dalin me masat tjera.

    “Ata do të vijnë në komision, do të tregojnë të gjitha procedurat dhe ligjshmërinë e procesit të përzgjedhjes të drejtorit të RTK-së dhe mandej do të dalim me hapat dhe masat tjera”, tha ai.

    Lidhur me përzgjedhjen e Ngadhnjim Kastratit si drejtor të RTK-së, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

    Deputeti i këtij subjekti, Valon Ramadani ka shkruar sot se vendimi i publikuar nga RTK-ja për përzgjedhjen e kandidatit për drejtor Ngadhnjim Kastrati, është i paligjshëm dhe i pavlefshëm.

    Ramadani përmes një postimi në Facebook ka thënë se emërimi i Kastratit është i paligjshëm dhe i pavlefshëm.

    “Vendimi i publikuar sot nga RTK-ja për përzgjedhjen e kandidatit për drejtor Ngadhnjim Kastrati, është i paligjshëm dhe i pavlefshëm”, ka shkruar ai.

    Sipas tij cilido jurist që ka pretenduar të japë interpretim për këtë çështje ka kryer vepër penale.

    “Bordi duhet urgjentisht të tërhiqet nga ky veprim, në të kundërt jemi të detyruar t’u drejtohemi organeve të drejtësisë”, ka shkruar Ramadani. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!