Pa marrëveshje ka përfunduar edhe takimi i sotëm mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ka një dallim drastik mes kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Marrëveshje politike nuk e kemi ende, pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së”, është shprehur Kurti.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë bisedimeve i ka ofruar LDK-së pozitën e zëvendëskryeministrit dhe disa resorë ministrorë.
“Pozitën e zëvendëskryeministrit me disa ministri. E di që kohëve të fundit është përdorur togfjalëshi ‘balanc demokratik’, por brenda sistemit tonë kemi balanc demokratik dhe kemi një zonë zgjedhore. Ne ofrojmë, në përputhje me rezultatin zgjedhor, ta ndajmë përgjegjësinë përmes resorëve ministrorë në ekzekutiv”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se kërkesa e LDK-së për Presidentin nuk reflekton fuqinë e saj parlamentare.
“Në këtë situatë, kur kemi kërkesë që LDK-ja ta ketë Presidentin, ndonëse i duhen 30 nënshkrime vetëm për ta propozuar kandidatin, ndërsa 61 vota për ta zgjedhur, ekziston një shpërputhje e madhe mes rezultatit zgjedhor dhe ambicieve konkrete. Ky është problemi pse nuk është arritur marrëveshja deri tani. Nuk duhet t’i humbim shpresat, por duhet të jemi transparentë”, ka thënë Kurti.
Nga ana tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit në Kuvend me Kurtin, ka thënë se janë shumë larg marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshoj pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai ka theksuar se qëllimi i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhja, derisa ka shprehur keqardhje, duke thënë se janë në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate.
“Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate”, është shprehur Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja ka kërkuar që ta propozojë emrin për president.
“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zvkryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, është shprehur Abdixhiku.
“Sapo që pajtohemi që propozimi për president të vijë nga LDK, atëherë bashkë me Kurtin e caktojmë atë emër. Nuk po flas ‘na jipni mbështetje bllanko dhe vijmë me dy emra’. Jo jo, flasim, sepse po flasim për presidentin”, ka shtuar ai.
Sot në mesnatë është afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Nga Kuvendi ende nuk ka ndonjë njoftim për vazhdim të seancës konstituive të legjislaturës së 11-të, e cila u ndërpre dje pasi që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për diskutime me përfaqësues të partive, me synimin për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit.