Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate për media pasi Lëvizja Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcan si kandidat për President të ri të Kosovës.
Në reagimin e saj, LDK kritikon qasjen e Vetëvendosjes, duke vlerësuar se ajo nuk përfaqëson një përpjekje serioze për ndërtimin e konsensusit, por e trajton procesin si garë politike. Sipas LDK-së, një qasje e tillë nuk është në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe nuk i shërben stabilitetit institucional të vendit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional.”, thuhet në reagim.
LDK thekson se takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative dhe kanë pasur për qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore. Ajo vlerëson se konsensusi nuk mund të ndërtohet mbi logjikën që njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur, por kërkon diskutim dhe dakordim të përbashkët për një figurë që përfaqëson unitetin institucional dhe gëzon besim të gjerë parlamentar.
Sipas LDK-së, mënyra se si është zhvilluar procesi nga ana e Vetëvendosjes nuk krijon kushte për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon vullnet të mirëfilltë për arritjen e një marrëveshjeje të gjerë politike. Partia opozitare thekson se zgjedhja e Presidentit kërkon maturi, përgjegjësi dhe bashkëpunim të sinqertë ndërmjet subjekteve parlamentare.
Në fund, LDK shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje, vendi rrezikon të tejkalojë afatet kushtetuese dhe të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, në vend që të sigurohet stabiliteti institucional që, sipas saj, qytetarët e presin dhe e meritojnë.