Qeveria e Kosovës ra dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe, një ditë para fillimit të zbatimit të Ligjit për të huajt, si dhe të atij për automjete. Për këtë çështje në Kosovë qëndroi sot emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen
Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.
Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media tha se procesi i zbatimit të ligjeve për të huajt dhe për automjete do të bëhet në koordinim të ngushtë me Sorensenin dhe serbët lokalë.
Ai tha se asnjë qytetar nuk duhet të ketë drojë nga ligji për të huajt, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”
“Qeveria po ashtu do hap një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”, ka deklaruar Kurti.
Subjektet opozitare kanë kritikuar Kurtin për lëshimin e bërë.
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim për, siç i ka quajtur, kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti, referuar pajtimit të Qeverisë për t’u ofruar lehtësira të përkohshme serbëve që nuk janë të pajisur me dokumente të shtetit të Kosovës, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet.
Për PDK-në, përmes këtij veprimi “po cenohet drejtpërdrejt sovraniteti i Republikës së Kosovës”.
“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence.
“Për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërkohë që me vendimet e tij po e pranon publikisht ekzistencën e tyre dhe po krijon kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre”.
Për këtë çështje reaguan sot edhe nga LDK.
Deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti tha se kryeministri Albin Kurti tani detyrohet të merret me normalizim të funksionimit të strukturave paralele, pas disa vitesh sanksionesh nga Bashkimi Evropian.
‘’Kosova sigurisht se duhet të jetë e gatshme për dialog me fqinjin verior, gjithmonë me ndërmjetësimin e aleatëve. Por askush nuk ka të drejtë të pranojë zgjidhje, edhe pse mund të duken teknike, që normalizojnë funksionimin e strukturave paralele. Nuk duhet të pranohet vendosja e një ‘status quo’-je.’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, me lëshimet për Ligjin për të Huajt, Kurti bëri një tjetër koncesion, ndërsa Serbia doli sërish përfituese dhe e kënaqur me dakordimin.
‘‘Për mua përgjigjet janë të qarta. Me lëshimet për Ligjin për të Huajt, kryeministri bëri një tjetër koncesion, ndërsa Serbia doli sërish përfituese dhe e kënaqur me dakordimin’’, ka shkruar ai ndër tjerash.
Lehtësirat në Ligjin për të Huajt u mirëpritën nga BE-ja.
Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka quajtur hap të rëndësishëm marrëveshjen për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt në Kosovë, duke theksuar se ky përparim shënon moment të ri në dialogun Kosovë-Serbi.
Kallas ka thënë se është e gatshme të organizojë takim të nivelit të lartë së shpejti.
“Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara në dobi të të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan në mënyrë konstruktive për ta bërë të mundur këtë. Në vazhdim, zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme mbetet jetik. Ky progres krijon një momentum të ri për Dialogun Kosovë-Serbi dhe unë jam i gatshëm të pres së shpejti një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar ajo.
Ligjet do të hyjnë plotësisht në fuqi të dielën. /Reporteri.net/