×
  • Lajme
  • Lajme / Bajakovo

    Lirohen disa nga kosovarët që u bllokuan mbi 13 orë nga autoritetet serbe në kufirin me Kroacinë

    Reporteri
    17 Prill 2024 | 15:34

    Janë liruar për të vazhduar rrugën e tyre disa nga qytetarët nga Kosova të cilët për më shumë se 13 orë u bllokuan nga autoritetet serbe në kufirin me Kroacinë, shkruan Reporteri.net.

    Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga kompania kosovare “Zhitia Turist”.

    “Po, janë liruar dhe nuk ka asnjë problem tani”, ka thënë shkurtimisht një punonjëse e kompanisë.

    Por, krahas kësaj pike kufitare, kosovarë ka të bllokuar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë.

    Ndalimi dhe bllokimi i më shumë se 300 kosovarëve, erdhi pasi Kosova ditën e djeshme kaloi edhe hapin e dytë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.

    Lidhur me bllokimin e qytetarëve në pikat kufitare me Serbinë, reagoi në orët e para të mëngjesit Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, e cila i bëri thirrje qyetatarëve që mos të kalojnë nga Serbia. Poashtu në njoftimin e kësaj Ministrie u tha se qytetarëve u janë marrë dokumentetet personale, poashtu edhe autobusëve, si dhe po merren në pyetje nga autoritetet serbe.

    Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hakmarrje të Serbisë për votimin në Asamble të Këshillit të Evropës, ndalimin e shtetasve të Kosovës në pikëkalimet kufitare të Serbisë.

    Kjo tha Kurti është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti.

    Kurti: Mbi 300 shtetas të Kosovës janë ndaluar arbitrarisht në kufij, Serbia po hakmerret për Këshillin e Evropës

    Për bllokimin e qytetarëve të Kosovës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi njoftoi edhe emisarin evropian, Miroslav Lajçak. Ai tha se kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE.

    Bislimi thotë se akti i tillë dëshmon rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të agresionit.

    “Për situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po i pastrojnë etnikisht shqiptarët me mjete administrative në Luginën e Preshevës, i bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta. Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të tërhiqemi kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë në KiE as BE”, ka shkruar Bislimi në “X”.

    Bllokimi i kosovarëve nga autoritetet serbe, Bislimi njofton Lajçakun: Dëshmi se Serbia s’është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka cilësuar shkelje të marrëveshjes për normalizim këtë veprim nga Serbia.

    Në një reagim të saj, OEAK i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara./Reporteri.net/

    Bllokimi i kosovarëve, Oda Amerikane: Shkelje e qartë e dispozitave të marrëveshjeve për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!