Lutfi Haziri nderohet edhe me një çmim të rrejshëm

Një tjetër çmim nga një organizatë kundërthënëse, i ka shtuar koleksionit të tij kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri .Ditë më parë, ai pranoi çmimin “Nelson Mandela” nga e ashtuquajtura Akademia Universale e Paqes Globale.


Bashkë me të deleguarin e kësaj organizate fantome, Madhu Krishan, ka qenë edhe Shefki Hysa, një tjetër personazh i dyshuar për mashtrime, që mban një titull si guvernator i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet.Në korrik të vitit të kaluar, Haziri kishte marrë çmimin “Figurë e Paqes” nga një tjetër organizatë, Komiteti Botëror i Paqes, që udhëhiqej nga Djuyoto Suntani, e pak muaj më vonë, Suntani, ishte parë në një takim bashkë me Shefki Hysën.

Hysa ishte personazh në një emision hulumtues-satirik italian, të cilëve u kishte shpjeguar se si funksionon mes tjerash titulli ‘Diplomat i OKB-së”, “Konsull Nderi i OKB-së e “Misionar i Paqes i OKB-së”, e madje kishte në dispozicion edhe tabela diplomatike.Ky emision, ishte transmetuar në shkurt të vitit 2017, ndërsa në qershor të po atij viti, tani kryeministri Ramush Haradinaj, kishte marrë një titull nga organizata e Hysës.Në kohë fushate, atij iu ishte ndarë titulli “Ambasador i Artë – Richard Hoolbroke” dhe “Misionar i Paqes” nga Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet dhe Misioni Diplomatik Amerikan për Paqe Botërore.Lidhur me këtë temë, KTV-ja ka dërguar disa pyetje në zyrën për informim të Komunës së Gjilanit, por përgjigjet kanë munguar.

Rikujtojmë se për Hazirin, ky nuk është çmimi i parë nga organizata të tilla, pasi Otto F.Von Feigenblatt, i emëruar nga presidenti Thaçi “Ambasador Nderi”, i kishte dhënë atij një mirënjohje që pretendohej se ishte nga presidenti Donald Trump. KTV-ja kishte raportuar se e njëjta blihej dhe kushtonte nga 6 deri në 10 dollarë amerikan, derisa Ambasada Amerikane në Prishtinë kishte konfirmuar se i njëjti, nuk ka lidhje me Qeverinë e SHBA-së.