×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja e 236.7 milionë dollarëve nga MCC-ja e SHBA-së për Kosovën, krejt çka përfshin

    Reporteri
    01 Korrik 2022 | 20:53

    Koorporata Sfida e Mileniumit (MCC) ka aprovuar sot marrëveshjen e Kompaktit prej 236,7 milionë dollarësh. Por, çka përfshin saktësisht kjo marrëveshje?

    Nga Ministria e Ekonomisë kanë deklaruar se programi do të përfshijë tri projekte: Rezerva dhe arbitrazh të energjisë; Zhvillim të fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë dhe Projekti i Instituticionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Nga ky financim, 200 milionë dollarë do vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, kurse 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).

    “Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    Ndryshe, lajmin për arritjen e kësaj marrëveshje e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një postimi në ‘Twitter’.

    Shefi i ekzekutivit kosovar e ka cilësuar si “investimin më të madh në energji ndonjëherë”.

    “Bordi i MCC-së ka marrë vendim të miratohet marrëveshja e Kompaktit prej 236,7 milionë dollarësh. Ky është investimi më i madh energjetik në Kosovë deri më sot. Do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për tranzicionin tonë të drejtë të energjisë. Falenderime të veçanta për të dy ekipet tona për punën e shkëlqyer. Miqtë. Partnerët. Aleatët”, ka shkruar Kurti.

    Kurti në SHBA pati takuar Kryeshefen e MCC-së, Alice Albright, ku u patën zotuar për arritjen e një marrëveshjeje për fondin tashmë të aprovuar./Reporteri.net.

    Komunikata e plotë:

    Uashington, 01.07.2022 – Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në përbërje të Antony Blinken, Sekretar amerikan i shtetit njëkohësisht udhëheqës i këtij bordi, Sekretarja, Janet Yllen, përfaqësuese tregtare, Katherine Tai, administratore e USAID-it, Samantha Poëer, Kryeshefe Ekzekutive, Alice Albright, Senatori Mike Johanns, Kongresisti Ander Crenshaë, Susan M. McCue anëtare si dhe Geroge M. Marcus, anëtar, në mbledhjen e rregullt të Bordit të MCC-së të mbajtur dje, më 30 qershor 2022 kanë aprovuar Projektin Kompakt si dhe kanë hapur rrugën për nënshkrimin dhe finalizimin e proceseve të ratifikimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe dekretimin nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

    Nga ky financim, 200 milion dollarë do vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, rreth 35 milion dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, kurse 2 milion do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).

    Programi do të përfshijë tri projekte:

    1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 Më, që ofrojnë rezervë 340 Mëh),

    2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe

    3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim

    Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Evropë për kokë-banori, dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit. Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, me qëllim të përdorimit të saj kur është nevoja gjatë orëve me konsum të lartë. Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës, dhe burime të ngjashme, gjë që do ta përshpejtoj kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

    Projekti i dytë përfshinë dy aktivitete: 1. Zhvillimin e Fuqisë Punëtore Energjetike për të Ardhmen, që synon të krijoj një program të studimit që do të zhvilloj aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC-në; dhe 2. Fuqi Punëtore Gjithëpërfshirëse në Sektor të Energjisë, që do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve siç janë mbështetja e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

    Projekti i tretë është financim nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim, apo ACFD, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Specifkisht, projekti synon të rrisë përfshirjen e sektorit privat gjatë implementimit të programit Kompakt në fushat që mbështesin ose plotësojnë objektivat e projektit të rezervave të energjisë dhe atë të zhvillimit të fuqisë punëtore. Projektet e mundshme të mbështetura përmes këtij mekanizmi përfshijnë gjenerimin e energjisë së ripërtërishme dhe hapjes së mundësive për financim për agjendë të gjelbër.

    Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!