Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë sot vendim lidhur me ankesën e Listën Serbe, ku ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb dhe ka obliguar deputetët që ta përfundojnë këtë proces brenda 12 ditësh.
Mirëpo, deri në publikimin e Aktgjykimit në Gazetën Zyrtare kur edhe hynë në fuqi Aktgjykimi, do të vazhdojë masa e përkohshme e cila ka hyrë në fuqi që nga data 5 shtator dhe e cila ishte paraparë të skadojë sonte, shkruan Reporteri.net.
“TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi”, është pika e pestë e vendimit, që Kushtetuesja thotë se hynë në fuqi menjëherë.
Me masën e përkohshme, deputetëve u ndalohet çdo veprim si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë.
Rrjedhja e afatit 12 ditor do të fillojë tek pas publikimit të Aktgjykimit në Gazetën Zyrtare.
“TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses mbi vendimin e marrë.
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e zgjedhur që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, theksohet në njoftim.
Ndryshe, Kryeparlamentari Dimal Basha e kishte përmbyllur seancën konstituive, pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”, kishte deklaruar Basha, në seancën e 30 gushtit.
Sipas tij, moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët apo njërit nga gjashtë anëtarët e Kryesisë nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës./Reporteri.net
