Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar për 21 dhjetor 2026, në orën 09:30, seancën fillestare ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të akuzuarve të tjerë për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, përfshirë vrasjen e 107 civilëve shqiptarë.

Sipas njoftimit të gjykatës, procesi gjyqësor do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, me propozim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

Gjykata u ka bërë thirrje 20 të akuzuarve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes të Republikës së Kosovës.

Reklamë

Po ashtu, ka kërkuar nga të gjithë personat që kanë informacione relevante për vendndodhjen e tyre, që t’i raportojnë ato në Policinë e Kosovës ose te organet e tjera kompetente.

Seanca fillestare është caktuar për 21 dhjetor, nga ora 09:30, ndërsa trupin gjykues do ta kryesojë gjyqtari Leon Përlaska.

Në mesin e të akuzuarve, përveç Radoiçiqit, janë Milovan Kovaçeviq, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladimir Bozhoviq, Robert Dobruna, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 6 gusht 2026, ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, kundër 20 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, saktësisht për vrasjen e 107 civilëve. Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq.

Reklamë

Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 mars 2025 kishte lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të pandehurve tjerë për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Gazeta Online Reporteri.net kishte siguruar urdhërarrestin, me të cilin urdhërohej shoqërimi i menjëhershëm i të pandehurve: Milovan Kovaçevic, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladirmir Bozhoviq, Robert Dobrunaj, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Milan Radoiçiq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.

“Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, (PJP) dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B.,V.B.,R.B.,R.R.,L.R., M.Sh.,M.R., S.G., T.A., në cilësinë e pjesëtarëve të njësive të lartëcekura, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policior”, thuhej në njoftim i Prokurorisë për ngritje të aktakuzës.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat.

Reklamë

“Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, thuhej në njoftim.

Ndryshe, Milan Radoiçiq akuzohet edhe për sulmin terrorist në Banjskë, si organizator i grupit.